Sulmuesi i Argjentinës, Angel Di Maria i cili aktualisht luan me Benficën, ka marrë një kërcënim në shtëpinë e tij në periferi të Rosarios gjatë ditës së djeshme.
Mesazhi vjen një javë pasi Di Maria tha se dëshironte ta përfundonte karrierën e tij në klubin e fëmijërisë “Rosario Central”.
Mediat vendase kanë shkruar se një makinë la një shënim para lagjes private ku 36 vjeçari ka banesën familjare, duke shkruar se askush nuk mund t’i garantonte sigurinë nëse ai vendos të kthehet në qytet.
“Thuaji djalit tënd Angel që të mos kthehet në Rosario sepse ne do të vrasim një anëtar të familjes. As Pullaro nuk do të të shpëtojë. Ne nuk lëmë shënime letre. Ne lëmë plumba dhe njerëz të vdekur pas”, thuhet në mesazhin kërcënues.
Rosario, vendi i një prej qendrave agro-portuale më të mëdha në botë, së fundmi ka pasur një rritje intensive të dhunës nga grupet e trafikut të drogës pasi qyteti shërben si një nyje për trafikun e drogës nga vende të tjera.
Vitin e kaluar, i njëjti kërcënim iu bë edhe Lionel Messit, pasi persona të armatosur të paidentifikuar sulmuan një supermarket në pronësi të familjes së gruas së tij Antonela Roccuzzo.
Qeveria argjentinase tha javën e kaluar se do të dërgojë një projekt-ligj në Kongres për të lejuar forcat e armatosura të ndërhyjnë në operacionet e sigurisë së brendshme për të luftuar trafikun e drogës dhe krimin në Rosario.
Top Channel