Pas Jerevanit, stacioni i ardhshëm i Kosovës është Budapesti ku të martën luhet miqësorja e dytë e Dardanëve, të cilët do të takohen me Hungarinë.
Kosova fitoi minimalisht kundër armenëve edhe pse problemet e vjetra në lojë u shfaqën edhe në atë ndeshje. Sidomos në mesfushë, aty ku Kosova po vazhdon të vuajë tashmë prej një kohë të gjatë.
Koha e shkurtër para ndeshjes tjetër nuk i le shumë kohë për të punuar trajnerit Foda, megjithatë Kosovën e pret një përballje edhe më e vështirë të martën mbrëma.
Sfida kundër Hungarisë do të jetë me të vërtetë një test i vërtetë për Kosovën dhe trajnerin gjerman, Franco Foda. Normalisht kundërshtari është i një niveli shumë më të lartë dhe Kosova duhet t’i qaset ndeshjes shumë më seriozisht.
Pasi me një lojë sikurse kundër Armenisë, mund të kemi probleme. Një gjë pozitive është fakti që trajneri i ri Foda ka shenjëzuar të gjitha problematikat që u shfaqën kundër Armenisë.
Dhe do të mundohet të përmirësohet për ndeshjet e ardhshme, duke filluar nga dueli kundër hungarezëve. Mesfusha dhe specifikisht roli i mesfushorit mbrojtës, është problem kryesor te Kosova.
Aty ku të gjithë presin nga Foda që të gjejë një zgjidhje afatgjatë. Një lojtar që luan pikërisht në këtë rol është Qëndrim Zyba, i cili nuk ishte ftuar për këtë grumbullim.
Por, rikthimi i Lindon Emërllahut është një lajm pozitiv edhe pse mesfushori i Ballkanit vjen pas një lëndimi të rëndë. Dhe ende nuk është në optimumin e tij fizik.
Në miqësoren kundër Hungarisë pritet të kthehet kapiteni, Amir Rrahmani, i cili u pushua kundër Armenisë. Në miqësoren e fundit nuk pati minutazh as Drilon Hazrollaj, i grumbulluar për herë të parë me Kosovën.
Dhe duket vështirë e besueshme që mund të debutojë me Kosovën kundër Hungarisë. Hungaria është një rival për çdo respekt dhe nuk do të jetë ndeshje aspak e lehtë për Kosovën në “Puskas Arena” ku pritet të jenë mbi 60.000 tifozë.
Hungaria e italianit Marco Rossi, do të jetë pjesë e Evropianit të Gjermanisë, që mbahet këtë verë. Hungaria vjen në këtë ndeshje pas fitores në miqësoren kundër Turqisë.
Sido që të jetë Hungaria vjen në momentin më të mirë për Kosovën për të parë realisht se ku gjenden Dardanët, një test i vështirë por edhe që mund t’i japë shumë përgjigje gjermanit Franco Foda. /Supersport
Top Channel