Ndryshon Kombëtarja! Sylvinho pritet të ketë 4-5 lojtarë të rinj në formacion kundër Suedisë

25/03/2024 12:48

Kombëtarja shqiptare do të zbresë mbrëmjen e sotme sërish në fushë përballë Suedisë në Stockhol, në përpjekje për të rregulluar imazhin me takimin e parë miqësore atë me Kilin pak ditë më parë, ku u mundëm me shifrat 0-3.

Kuqezinjtë kanë mbyllur seancat stërvitore, madje dje kanë kryer atë zyrtaren në sadiumin “Friends Arena” ku sot dot ë zhvillohet ndeshja. Priten disa ndryshime në formacionin e Sylvinho siç edhe e paralajmëroi vetë trajneri në konferencën e djeshme për shtyp. Në seancën e fundit stërvitore ai i kishte të gjithë lojtarët në dispozicion, përfshirë edhe portierin Etrit Berishën që mungoi ndaj Kilit. “Gardiani” i Empolit pritet që të vihet mes shtyllave, duke zëvendësuar Thomas Strakoshën, i cili luajti në takimin me Kilin.

Ndryshime pritet që të ketë dhe në mbrojtje, me gjasa do të aktivizojë Ivan Balliun në anën e djathtë, për të lënë Hysajn pushim pasi në krahun tjetër konfirmohet titullar Mario Mitaj. Në qendër pritet që të rikthehet titullar pas një viti me Kombëtaren Marash Kumbulla, i cili do të formojë dyshen e qendrës bashkë me kapitenin Berat Gjimshiti.

Në mesfushë, Kristian Asllani dhe Ylber Ramadani do të formojnë dyshen para mbrojtjes, si në Parma. Më të avancuar pritet të jenë Arbër Hoxha nga e majta, Ernest Muçi në qendër dhe Arbnor Muçolli nga e djathta. Në majën e sulmit këtë herë do ta nisë si titullar Armando Broja. Ky është një formacion paraprak lidhur me ato që mund të kuptohen nga provat që trajneri ka bërë në këto ditë stërvitjeje përgatitore, ndërkohë që formacionin zyrtarë Sylvinho do ta përpilojë vetëm sot.

Pritet të jenë shumë shqiptarë edhe në Suedi ashtu si në Itali, ndërkohë që për të gjithë ata që nuk kanë patur mundësi të jenë në stadium, ka menduar si gjithmonë Digitalb që do të transmetojë këtë ndeshje të kombëtares prej orës 19:00

Top Channel