Mund të jesh kampion bote në futboll, por kjo nuk do të thotë se mund të shkosh me qenin ku të duash.
Më keq akoma, mundet që të mos shohësh dot as ndeshjet e djalit tënd. Kjo i ka ndodhur Luka Tonit, ish-sulmuesit të Italisë, që dje është ankuar se nuk është lejuar të hyjë me qenin e tij në një qendër stërvitore fëmijësh për të parë ndeshjen e të birit.
“Çmenduri, në vitin 2024 nuk të lejojnë të hysh me qenin në një qendër stërvitore. Humba ndeshjen e tim biri për këto rregulla absurd dhe të prapambetura”, shkruan ndër të tjera Luka Toni, që u shpall kampion bote me Italinë në Botërorin 2006.
I menjëhershëm ka qenë drejtori i qendrës stërvitore, Enriko Kavaxoni, që i ka kujtuar ish-futbollistit se duhet të respektojë rregullat.
“Në asnjë qendër stërvitore në Rexho Emilia nuk lejohen qentë për arsye higjienike. Nuk është e vërtetë qe e penguam Luka Tonin të shihte ndeshjen e të birit, thjesht ai nuk pranoi të hynte pa qenin e tij”, ishte reagimi i drejtorit.
Top Channel