Vriten me armë zjarri kryebashkiakja e Ekuadorit dhe këshilltari i saj! Trupat e pajetë u gjetën brenda një automjeti

24/03/2024 22:40

Kryebashkiakja më e re e Ekuadorit, Brigitte Garcia, dhe një këshilltar, u gjetën të vrarë me armë zjarri në një makinë këtë të dielë.

Ky lajm u bë i ditur nga policia në shtetit të Amerikës së Jugutm, e cila shtoi se po hetohet vdekja e kryebashkiakes 27-vjeçare të qytetit San Vicente dhe këshilltarit të saj, Jairo Loor, pas gjetjes së trupave të tyre në provincën Manabi.

Garcia i përkiste Partisë së Revolucionit Qytetar të ish-Presidentit Rafael Correa, ky i fundit e quajti vrasjen e saj si atentat.

27-vjeçarja është figura e fundit politike që vritet në Ekuador që nga vrasja gushtin e kaluar e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio.

Villavicencio, një kritik i zëshëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, u vra ndërsa po largohej nga një aktivitet fushate dy javë para zgjedhjeve.

Presidenti Daniel Noboa shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në janar, mes shtimit të dhunës, ndërsa individë të armatosur morën kontrollin e një stacioni televiziv ndërsa ishte në transmetim të drejtpërdrejt.

Grupi i armatosur qëlloi me armë në studio. Më vonë, policia mori nën kontroll stacionin televiziv dhe arrestoi 13 persona të armatosur të cilët u akuzuan për terrorizëm. Asnjë person nuk u lëndua. Presidenti Noboa gjithashtu përcaktoi 22 grupe kriminale si organizata terroriste.

Në fillim të këtij muaji Ekuadori zgjati gjendjen e jashtëzakonshme në vend, pasi është përfshirë nga një valë dhune, për cilën autoritetet fajësojnë trafikun e drogës.

Dikur një vend paqësor, vitet e fundit Ekuadori është kthyer në një vend tranzit për kontrabandën e kokainës mes Amerikës së Jugut dhe të Veriut.

Në muajin shkurt policia ekuadoriane dhe spanjolle goditën një rrjet të gjerë të trafikut të drogës duke arrestuar 30 individë. Organet e rendit sekuestruan rreth 2,4 tonë kokainë, rreth 400 mijë euro dhe armë, automjete dhe prona që kapin vlerën e rreth 13 milionë eurove.

 

Top Channel