Kosova, më pranë ulëses në Asamblenë Parlamentare të NATO-s/ Autoritetet: Është avancuar statusi i vendit tonë

24/03/2024 15:41

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Driton Hyseni, thonë se Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në këtë organizatë, nga ai vëzhgues në të asociuar.

Hyseni, njëherësh kryesues i delegacionit të Kuvendit të Kosovës në këtë Asamble, ka thënë se ky “është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësim të plotë të Kosovës në NATO”, dhe se vendimi do të zyrtarizohet përmes një votimi në Asamblenë parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror, më 27 maj, në Sofje.

“Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit të Kosovës në Asamblenë e NATO-s, ne do të kemi zgjerim të delegacionit, përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe do të kemi të drejtë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve për secilin proces e dokument i cili trajtohet nga Asambleja, të cilat më herët është dashur të bëhen përmes delegacioneve të vendeve tjera, kryesisht Shqipërisë”, shkruan Hyseni përmes një postimi në Facebook.

Ministri Maqedonci e ka konsideruar vendimin si hap të madh drejt sigurisë dhe prosperitetit të Kosovës dhe rajonit.

Top Channel