I përfundon kontrata në vitin 2025, Juventus pas yllit të Manchester United

23/03/2024 10:57

Është periudhë reflektimi te drejtuesit e Juventus.

Bardhezinjtë, duken të sigurt për t’u rikthyer në Champions League sezonin e ardhshëm dhe drejtuesit kanë nisur nga puna për të përforcuar organikën e “Zonjës së Vjetër”.

Mes shumë emrave të përmendur këto kohë, del së fundmi në skenë një alternativë e re për fazën ofensive. Bëhet fjalë për Mason Greenwood, lojtarin e Getafes, por në pronësinë e Manchester United. Pas problemeve të shumta në jetën personale dhe që e lanë për një vit e gjysmë jashtë fushave, 22-vjeçari është rikthyer protagonist në LaLiga.

Anësori ia ka dalë të shënojë këtë sezon gjashtë gola si dhe të regjistrojë pesë asistë duke fituar vëmendjen e Juventus. Greenwood do të rikthehet në verë te United, mirëpo “Djajtë e Kuq” nuk kanë ndërmend ta mbajnë në skuadër dhe me kontratën që i skadon në vitin 2025, italianët synojnë ta përfitojnë talentin britanik me një çmim të arsyeshëm. /Supersport

Top Channel