Humbja e kuqezinjve përballë Kilit, “alarm zgjimi” për vrapin drejt Europianit

23/03/2024 20:28

Më mirë një dush i ftohtë në miqësore duke shkuar të vetëdijshëm në Europian, sesa një rezultat që i bën makiazhin defekteve duke na çuar me iluzione në Gjermani. Humbja me Kilin ka ardhur në momentin e duhur. Paraqitja më e venitur në epokën Sylvinho nuk na ka kushtuar asnjë pikë, vetëm pak krenari duke dhuruar disa leksione të rëndësishme.

E para, as Manaj me lumin e golave në Turqi, dhe as Broja me talentin e një lojtari të Premier League, nuk na shpëtojnë dot të vetëm. Lushnjari u pa pak i pa shërbyer nga pjesa tjetër dhe pa mundësinë për t’u liruar në lojën pa top. Broja pati më pak minuta, me skuadrën disi më të çeukilibruar, të dy e patën nga një top në zonë, por të pashfrytëzuar si duhet.

Që ata të shënojnë duhet të marrin më shumë topa dhe e gjithë skuadra të funksionojë. Meqë ra fjala, për “mjeshtrit e tastierës” që e kritikojnë pa fund, ju ka marrë ndopak malli për Cikalleshin? Volumi i jashtëzakonshëm dhe puna e madhe që bën aty para duke luftuar e bërë pis çdo top të kundërshtarit, këtë herë munguan.

Duhen minuta, një tjetër leksion i pamëshirshëm edhe për ata që shkëlqyen më së shumti në eliminatore. Jasir Asani mbi gjithë të tjerët që jo çdo ndeshje mund të ketë “prekjen e gjeniut”. Edhe Bajrami që në këtë ndeshje duket se pasqyron edhe javët e vështira që ka kaluar së fundmi te Sasuolo.

Një keqardhje e madhe është padyshim mesfusha, reparti ku ndoshta e kishim fjetur mendjen më shumë. Këtë herë u dominua nga rivalët, natyrisht meritë e traditës së shpirtit luftarak të një skuadre si Kili. Por as Ramadani dhe as Asllani këtë herë nuk shkëlqyen. Kilianët natyrisht në duele kishin diçka më tepër se standardi europian i agresivitetit në duele.

Në mbrojtje pastaj dy golat e fundit janë me të vërtetë një njollë e madhe. Nëse ai i Vargas është një shpikje individuale, aksioni që sjell golin e 2-0 Bolados duket i thjeshtë si në një seancë stërvitore. I papranueshëm për një skuadër që do të shkojë në Europian. Ashtu si dhe ai Davilas në shtesë lind në zonën e Hysajt, një alarm zgjimi për mbrojtësin e Lazios. Ndërkohë edhe mes shtyllave Strakosha që vuan një sezon në stol nuk mund të ketë nivelin më të lartë të konfidencës.

Pak për të thënë për të rinjtë, Muçollin apo Hoxhën në një miqësore me pak dritë dhe më shumë hije. Nuk ishte kjo ndeshja për t’i vlerësuar edhe pse të dy dhuruan sinjale pozitive.

Në të tërën përtej individëve, sfida jep mesazh edhe për Sylvinhon, a e kemi një plan B kur gjërat ngecin, si në pjesën e parë me Kilin? Një përgjigje që si shumë të tjera, mund t’i japë sfida e radhës ajo me Suedinë. E bukura e futbollit është se të duhet të ringrihesh shpejt dhe fati i Shqipërisë që leksionet e Kilit, erdhën thjesht në një miqësore./ Supersport

Top Channel