Ekspertët ndërkombëtarë mblidhen në Gjirokastër për të ardhmen e Parkut të Vjosës

23/03/2024 12:46

Në Gjirokastër 24 ekspertë ndërkombëtarë të fushave të teknologjisë, industrisë së fluturime , arkitektë dhe profesionistë të dizajnit të mendimit së bashku me 12 trajnerë lokalë dhe rreth 70 studentë e nxënës kanë punuar së bashku brenda programit Impact Week për të sjellë ide inovative dhe zgjidhje për katër çështje themelore që përcaktojnë të ardhmen e rajonit jugor sidomos hapësirës përreth Parkut Kombëtar të Vjosës

Temat mbi të cilat u punua për zgjidhje kanë qenë turizmi i qëndrueshëm, sfidat e luginës së Vjosës, industria ushqimore dhe bujqësia. Muktha Hiremath lidere e trajnerëve ndërkombëtarë tregon se temat e përzgjedhura janë jetike në prespektivë dhe se do të duhet të gjenerojnë shumë ide biznesi dhe sipërmarrje të qëndrueshme.

“Jemi këtu për të dytin vit dhe jemi përpjekur ti japim zgjidhje katër prej sfidave kryesore të rajonit. Kemi ekspertë nga e gjithë bota dhe po angazhojmë 10 ekipe për të sjellë ide biznesi që do ti vlenin turizmit, sipërmarrjes, bujqësisë, dhe industrisë së ushqimit të gjitha rreth destinacionit të Vjosës lumit të fundit të egër të Europës”, u shpreh Muktha Hiremath.

Christopher është inxhinier aviacioni për një nga kompanitë më të mëdha të fluturimeve në botë. Ai e viziton Shqipërinë për herë të parë dhe sheh se potenciali për ti zhvilluar të gjitha këto fusha është i lartë. Sfidë sipas tij mbetet motivimi i të rinjve për të qëndruar në rajon.

“Unë jam Chris dhe përvoja ime e parë me një program të tillë ka qenë në Mozambik rreth një vit më parë. Është magjia e njerëzve nga e gjithë bota që mblidhen së bashku për të punuar për çështje specifike dhe ide që i sjellin njerëzit së bashku për të gjetur zgjidhje”, u shpreh Christopher Bellieno

Programi solli më shumë se 10 ide imovative biznesi si zgjidhje që erdhën nga të rinjtë që nga idetë për tregjet biologjike, tek këndet sportive të menaxhuara nga studentë, shitoret e fermave, fshatin ideal, ide që përfshijnë teknologjinë dhe inovacionin duke krijuar platforma dhe aplikacione në funksion të artizanatit, turizmit, promovimit të Vjosës, lidhjes së studentëve me tregun e punës dhe të tjera.

Ideja që u vlerësua me çmim të parë nga një juri ndërkombëtare sugjeroi një platformë që lidh fermerët me konsumatorët dhe ofron zgjidhje të qëndrueshme për zhvillimin e fermave të vogla, vlerësim të produktit vendas dhe rritje të cilësisë.

“Jam shumë i lumtur që udhëhoqa grupin fitues. Ishte një ide shumë praktike dhe e implemetueshme. Ata sollën në vëmendje potencialin e lartë të produktit bujqësor e blegtoral vendas për shkak të pranisë së shumë mikroklimave dhe vendosën ti lidhin ata me konsumatorët fundorë që janë qytetarët dhe restorantet. Kështu garantohet cilësia dhe nuk humbet produkti vendas”, u shpreh trajneri Vishaan Gungah.

Çmimi i dytë shkoi për ekipin që sugjeroi menaxhimin e një qendre sportive nga të rinjtë si një model biznesi publik-privat.

“Grupi i të rinjve ishte shumë i motivuar. Ata guxuan të konkurojnë me një ide në dukje të çmendur por ajo duket se funksionon dhe juria e vlerësoi. Ata evidentuan mungesën e këndeve sportive për të rinjtë dhe komunitetin dhe ofruan edhe zgjidhje teknike e menaxheriale për këtë”, u shpreh trajnerja Christina Chen

Prej vitesh mungesa e fuqisë punëtore, migrimi në masë i popullsisë, edukimi i paorientuar drejt tregut të punës po e bëjnë qarkun e Gjirokastrës një prej rajoneve ku sipërmarrja private e të rinjve po tkurret. Rajoni ka vështirësi të zgjerojë kapacitetet në ekonomi dhe turizëm dhe po njeh një raport të zhbalancuar mes kërkesës dhe ofertës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA