Gati 80 ditë para zgjedhjeve për Parlamentin Europian partia në fuqi Demokracia e Re ka publikuar listën me 28 kandidatët e parë të saj.
Midis tyre bie në sy emri i lakuar prej vizitës së kryeministrit Mitsotakis vjet në Himarrë , i kampionit olimpik Pirro Dhima.
Dhima që aktualisht është zv/president i Federatës Botërore të peshëngritjes i rikthehet politikës pasi ka qënë në vitin 2012 deputet i parlamentit grek me socialistët e PASOK-ut për 3 vjet, ndërsa nuk ka mundur të rizgjidhet në zgjedhjet e 2015. Megjithëse fushata elektorale ende nuk është shpallur zyrtarisht ai ka ditë që viziton qytete të Greqisë dhe takon njerëz të ndryshëm.
Kandidatura e tij vjen në një moment konservatorët në fuqi, megjithëse kryesojnë me diferencë të madhe ndaj të Majtëve të Syrizës si dhe socialistëve të Pasok-ut , përballen me kritika të shumta të qytetarëve sa i përket çështjes së aksidentit tragjik hekurudhor në Tembi në shkurt të vitit të kaluar, ku humbën jetën 57 vetë, kryesisht studentë.Sipas dy sondazheve të djeshme Demokracia e Re jo vetëm ka humbur shumë pikë në krahasim me 41% të votave që përqendroi në zgjedhjet e vjetshme parlamentare, por edhe kryeministri Mitsotakis ka humbur vendin e tij të parë si lideri më i preferuar i grekëve.
Gati 8 në 10 qytetarë sipas sondazheve ,vlerësojnë se qeveria po përpiqet të mbulojë shkaqet e aksidentit, duke mbështetur ish-ministrin e Transporteve, që është përsëri deputet i saj, ndërsa ka pakënaqësi të madhe në gjithë shoqërinë greke për shtrenjtësinë tek artikujt ushqimorë, karburantet apo edhe shërbimet e ndryshme.Por zhgënjimi i grekëve pasqyrohet edhe tek përqindjet e ulëta që u japin edhe partive opozitare të cilat duan edhe ato të sigurojnë sa më shumë vende mes 21 eurodeputetëve që ka të drejtë të zgjedhë Greqia në PE.
Në zgjedhjet e kalura në vitin 2019 Demokracia e Re triumfoi duke zgjedhur 8 eurodeputetë, Syriza 6, Pasoku, PKK dhe Agimi i Artë nga 2 dhe Zgjedhja Greke 1.
Top Channel