Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë të premten se gjendja e sigurisë në Kosovë është “e qetë, por e brishtë”, si dhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga retorika përshkallëzuese dhe ndarëse.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten vonë se njësite të ushtrisë serbe janë vërejtur disa metra larg kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato lëvizje si “provokime të qëllimshme”.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë (REL), KFOR-i tha se, pas tensioneve të fundit, rreth 1.000 trupa shtesë të misionit javë zhvendosur në Kosovë dhe se praninë e kësaj force në veri të Kosovës është rritur.
“Ne e kemi trefishuar edhe numrin e patrullimeve, përfshirë në vijën kufitare administrative”, tha KFOR-i.
“Qëllimi ynë është ta ndalojmë përshkallëzimin dhe ne jemi të gatshëm dhe të pajisur për t’i ndërmarrë të gjitha masat për ta përmbushur mandatin tonë të OKB-së, për të siguruar mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lëvizjen e lirë”, shtoi ai.
Të premten më herët, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i hodhi poshtë deklaratat e Kurtit duke i cilësuar si “fushatës dezinformuese për ushtrinë e Serbisë”.
Ajo tha se forcat e ushtrisë serbe “janë duke i kryer detyrat e tyre në zonën e sigurt administrative, në përputhje me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara”.
Më herët gjatë ditës, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Shtetet e Bashkuara janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se ia kanë bërë me dije Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.
“Në Serbi, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e di mirë se çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm, do të konsiderohej rrezikim i forcave të NATO-s, që janë aty për të mbrojtur popullsinë, shqiptarët dhe serbët. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës”, tha O’Brien.
Ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin veprime për uljen e tensioneve në rajon.
KFOR-i tha se prania e misionit të saj është “fleksibile dhe të dukshme” në gjithë Kosovën, duke shtuar se kjo ia mundëson asaj ta vëzhgojë nga afër çfarëdo zhvillimi relevant të sigurisë dhe të përgjigjet ndaj të gjitha situatave që kanë ndikim në sigurinë.
Forca paqeruajtëse tha se është duke punuar nga afër me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, si reagues të parë dhe të dytë të sigurisë në Kosovë, përkatësisht.
KFOR-i u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Tensionet në veri të Kosovës filluan të rriten në fund të majit 2023, pasi kryetarët e rinj të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.
Banorët serbë e kundërshtuan këtë dhe organizuan protesta që kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku u plagosën dhjetëra demonstrues dhe ushtarë të KFOR-it.
Ato u përshkallëzuan disa muaj më vonë, më 24 shtator, kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë një polic dhe tre sulmues.
Si rrjedhojë, NATO-ja e shtoi numrin e ushtarëve të saj në misionin paqeruajtës, KFOR.
Sipas raportit vjetor të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenbergut, tani misioni i KFOR-it i ka 4.700 pjesëtarë në Kosovë, përfshirë edhe forcën rezervë.
Ky numër do të rritet edhe më shumë, nëse merret vendim që Sllovenia ta shtojë numrin e trupave në Kosovë muajin e ardhshëm./REL
Top Channel