Shqipëri-Kili, Zabaleta para ndeshjes: Japim maksimumin në fushë, ja pse Sylvinho zgjodhi këtë formacion

22/03/2024 20:37

Pablo Zabaleta, ndihmës i Sylvinhos, foli në lidhje direkte nga stadiumi “Tardini” për emisionin kuqezi. Argjentinasi e sheh Kilin si një kundërshtar që ngjason shumë me skuadrat evropiane.

“Është ndeshje miqësore, por ne nuk e luajmë si miqësore, prej 10 vitesh nuk ka më miqësore. Duhet të luajmë të impenjuar 100%, është një shans i mirë për të treguar nivel përballë një kombëtareje të mirë si Kili dhe duam rezultat të mirë.”

Broja, Cikalleshi, Manaj, konkurrenca në sulm:

“Cikalleshi e ka treguar veten, është sulmuesi ynë titullar, por duhet të shohim edhe sulmues të tjerë. Vendosëm të provonim Manajn e t’i jepnim shansin. Të shohim çfarë do t’i japë skuadrës.

Kili, si skuadrat evropiane:

“Të luash me Kilin është sikur të luash në Evropian, sepse ka lojtarë të fortë, agresivë dhe teknikë. Ngjason me Greqinë, Italinë dhe Spanjën.

Modul i ri? “Do të luajmë me të njëjtin modul, nuk ndryshojmë, lojtarët e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Është ndeshja e parë pas tre muajsh. Shpresoj të kemi performancë të mirë dhe lojtarët të dëfrehen.

Muçi si 10? “Ne e shohim Muçin si numër 10, që luan pas sulmuesve. Ai luan mes linjave shënon gola, është driblues, goditës i mirë, rrotullohet me topin, ne e shohim me pozitivitet që një lojtar luan në krahë dhe futet në qendër. Pra një lojtar që luan në shumë pozicione.”/ Supersport

Top Channel