Rrëfehet Asllani/ Nga transferimi te Interi, te goli i parë me fanellën zikaltër

22/03/2024 17:56

Kristjan Asllani ka dhënë një intervistë për median italiane ku ka rrëfyer lidhjen e tij të fortë me klubin zikaltër dhe ndjesitë që përjetoi kur mësoi për interesimin e Interit për kartonin e tij.

“Xhaxhai im më ka bërë tifoz me Interin dhe nuk mund ta besoja kur dëgjova për interesimin e tyre për mua. Thashë menjëherë po, nuk u mendova dy herë. Ishte e pabesueshme, pasi po realizoja një ëndërr. Sapo u transferova në Milano, e ndjeva se duhej të merrja me vete edhe familjen time dhe kështu bëra. Jam shumë i lidhur me vëllanë tim, që atëherë ishte 11-vjeçar”, ka rrëfyer Aslllani.

Mesfushori shqiptar gjeti edhe golin e parë në Serinë A me fanellën zikaltër, duke i shënuar Genoas në “San Siro”, para 75 mijë tifozëve, teksa rrëfen se emocionet ishin të forta dhe të papërshkrueshme.

“Të ndjeje entuziazmin e 75 mijë tifozëve dhe të shihje mbështetjen e shokëve të skuadrës që ishin në fushë, por edhe atyre në pankinë, ishte diçka e pabesueshme. Nuk kisha përjetuar një emocion të tillë, ndonëse e kisha menduar shpesh gjatë këtyre dy viteve. Pasi dërgova topin në rrjetë, nuk kuptova më asgjë. Ishte emocion i papërshkrueshëm”, tha Asllani.

Mesfushori shqiptar është një nga më të rinjtë në ekip, por ka raporte të shkëlqyera me të gjithë, megjithatë personi me të cilin kalon më shumë kohë është shoku i tij i repartit, italiani Fratessi.

“Me Fratessin kaloj më shumë kohë. Dalim shpesh bashkë dhe bëjmë shumë shaka edhe në dhomat e zhveshjes. Megjithatë të gjithë kemi një raport të shkëlqyer me njëri-tjetrin. Unë zakonisht nuk dal shumë, pasi jam tip familjar, por nëse jam jashtë, jam me Fratessin”, u shpreh Asllani.

Mesfushori shqiptar është në sezonin e dytë te skuadra zikaltër, teksa trajneri Inzaghi i ka besuar formacionin në disa ndeshje të rëndësishme, të cilat Interi i ka fituar edhe falë kontributit të Kristjan Asllanit./ Super Sport

Top Channel