Marrëveshja bazike për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi si edhe bisedimet e nivelit të lartë mes dy vendeve, për momentin janë të ngrira sipas analistëve Lulzim Peci dhe Dushan Janjic.
Peci, ekspert, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave në pohimin e tij për REL e përkufizon marrëveshjen “si klinikisht të vdekur” e kjo, për shkak të qëndrimeve të kundërta të palëve dhe mungesës së vullnetit të tyre për të ecur përpara me zbatimin e saj. Të dy kampet sipas tij kanë krijuar situata të tilla që ujdia të shihet si e pavlefshme, duke përmendur këtu vendosjen e kryetarëve shqiptarë në zyrat e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, ngjarje kjo që i rriti ndjeshëm tensionet në atë zone dhe sulmin vdekjeprurës nga ana tjetër, të grupeve të armatosura serbe në Banjskë të Kosovës, më 24 shtator.
“Jemi në pikën kur përveç ngërçit, kjo situatë ka gjasa të përcillet me konflikte sporadike në terren. Këtu qëndron rreziku më i madh në moszbatimin e kësaj marrëveshjeje”, thotë Peci. Në një linjë mendimi është edhe Dushan Janjic, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd. “Dialogu ka vdekur” dhe “nuk dihet se si do të përfundojë kjo situatë me nder”, thotë ai. “Së dyti, Brukseli dhe zyra atje janë shndërruar në kuti postare. Politikanët, negociatorët kryesorë nuk po shkojnë atje, por po i dërgojnë zëvendësuesit e tyre dhe po bëjnë gjoja bisedime”, shton ai.
Janjic po ashtu, kujton se Bashkimi Europian është në prag të zgjedhjeve për institucionet e tij dhe thotë se, deri në përfundimin e këtij procesi, roli i tij ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi do të jetë i zbehtë, teksa SHBA-ja këtë vit po ashtu mban zgjedhje presidenciale. Analisti shton se nuk është çudi” nëse situata aktuale “shndërrohet në konflikt të armatosur”.
Top Channel