Shqipëria ka stendën e saj në Halle 4 D, në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Leipzig të Gjermanisë, në hapësirën e Tradukit.

Në ceremoninë e hapjes së stendës shqiptare ishin të pranishëm ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi, ambasadori i Kosovës, Faruk Ajeti, ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Ylber Sela.
Stenda e Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e lexuesve të huaj.
Ditën e djeshme në orën 17:00 u mbajt takimi i parë me shkrimtaren dhe poeten Rita Petro për librin e saj “Vrima” në gjuhën gjermane. Takimi u moderua nga studiuesja Loreta Schillock.

Sot nën titullin “A Brave New World”, shkrimtarët e rinj, Suad Arilla, Brajan Sukaj dhe Dionis Prifti, Flogerta Krypi, nën moderimin e drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, do të diskutojnë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Lajpcig të Gjermanisë, mbi sfidat që ata përballen si shkrimtarë të rinj dhe mbi identitetin e kufijtë letrarë.

Takimi i radhës do të jetë “Tirana, një ëndërr e shkurtër me Stefan Çapaliku” nën moderimin e Shqipe Sylejmani . Stenda e Shqipërisë u vizitua nga Ministri për Kulturë dhe Shoqëri të Liechtenstein Z.Manuel Frick. Falë programeve tē përbashkëta me @traduki dhe @meki.gov.al letërsia shqipe është më e pranishme në gjuhën gjermane mes përkthimeve të ndryshme.
Panaire të këtij lloji në Europë ku bëhen bashkë lexues, autorë, përkthyes, shtëpi botuese e kritikë letrarë, mbërrijnë edhe si formë komunikimi mes kulturave të ndryshme dhe si mundësi prezantimi për t’u përcjellë letërsia shqipe në disa gjuhë të botës.

Motoja e Panairit të Lajpcigut për vitin 2024 është “Kush lexon ende?”, (Who’s still reading?) ndërsa vetë motoja e stendës së Shqipërisë është “Mos vështro pas” (Don’t look back), një reflektim mbi historinë, të shkuarën por edhe të ardhmen nën një koncept filozofik përmes leximit.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në këtë ngjarje të madhe të librit botëror, ka një program të mbushur me aktivitete dhe diskutime mbi librin shqip në kontekste më të gjera hapësirash dhe letërsinë bashkëkohore shqipe, traditën, gjuhën si dhe përkthimin. Shqipëria ka stendën e saj në këtë panair, një traditë tashmë, falë bashkëpunimit me rrjetin Traduki dhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit përgjatë ditëve të panairit synon ndërtimin e disa paneleve diskutimi me shkrimtarë të rinj dhe të konfirmuar. E ardhmja përmes librit do të vijë në refleksionet e autorëve të rinj shqiptarë, përballë një audience të gjerë. Nën titullin “A Brave New World”, shkrimtarët e rinj, Suad Arilla, Brajan Sukaj dhe Dionis Prifti, Flogerta Krypi, nën moderimin e drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, do të diskutojnë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Lajpcig të Gjermanisë, mbi sfidat që ata përballen si shkrimtarë të rinj, mbi identitetin e kufijtë letrarë, mbi promovimin e emrave të rinj në larminë e qindra mijëra titujve që zënë stendat e janë emra të konsoliduar në letërsinë europiane e atë botërore.
Duke qenë se Panairi i Librit në Lajpcig është edhe një formë komunikimi mes kulturave të ndryshme, një tjetër panel diskutimi do të ketë pikërisht temën e kufijve letrarë.

Nën titullin Beyond Borders – Përtej Kufijve, shkrimtarë dhe studiues si Mimoza Hysa, Rita Petro, Beqë Cufaj, Mladen Veskoviç, do të diskutojnë mbi letërsinë si një pikëtakim kulturor mes të ndryshmëve, një udhë e ndërmjetme që na vë të diskutojmë, të dialogojmë e të njohim tjetrin.
Letërsia shqipe në Gjermani do të jetë një tjetër tematikë që do të diskutohet në Panairin e Librit në Lajpcig.

Një diskutim për këtë tematikë do të vijë nën titullin “Kuteli dhe Agolli në gjermanisht” ku do të ndajnë idetë e tyre aurtorja austriake Andrea Grill si dhe studiuesja Loreta Schillock, e njohur në kulturën dhe në letërsinë shqiptare si përkthyese nga gjuha shqipe në gjermanisht dhe nga gjermanishtja në shqip nën moderimin e studiueses Mimoza Hysa.
Një tjetër diskutim me titullin “Letërsia shqipe në Gjermani” do të bëjë bashkë drejtoren e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli dhe Fazli Gajraku, drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, të cilët do të diskutojnë mbi veprat e autorëve shqiptarë të përkthyer në gjuhën gjermane dhe nevojën që ka letërsia shqipe për t’u përkthyer në gjuhë e kultura të tjera.

Krahas panairit, mbahet edhe festivali i leximit “Leipzig liest”(Lajpcigu lexon), që jo vetëm nxit te fëmijët dhe të rinjtë marrëdhënien me librin, por ofron platforma frymëzuese dhe e kthen qytetin në festë duke përfshirë, libraritë, kinematë, muzetë dhe galeritë që hapin dyert në mbrëmje për të përqafuar letërsinë.
Shqipëria u bë pjesë e Panairit të Lajcigut për herë të parë në vitin 2015.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA