Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij për zgjedhje.
Në një intervistë për televizionin publik ai ka thënë se “shkojmë në zgjedhje kur dëshiron opozita”.
Kurti ka folur edhe për faktin që opozita nuk ka numrat e mjaftueshëm për ta rrezuar atë nga posti i kryeministrit.
“Mund t’i bëjnë bashkë me neve, kjo është ofertë e imja. Unë po them që po shkojmë në zgjedhje kur dëshiron opozita. Ne e ndihmojmë opozitën nëse dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje”, është shprehur Kurti.
I menjëhershëm ishte reagimi i kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqit që tha se të premten do të jenë gati nënshkrimet e partisë së tij.
“Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam bërë thirrje e të kam pritë që të shpërndash Kuvendin. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbetur pak ndërgjegje për situatën e vështirë që e ke sjellë vendin!”, ka thënë Krasniqi.
E në anën tjetër, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka kërkuar Kurtit dorëheqjen.
“Le ta japë qartë, zëshëm, nëse është dorëzuar e duket se është dorëzuar le të jap dorëheqje. Pra nëse është dorëzuar le të jap dorëheqje. Por le të ja shpjegoj popullit pse po i lë. LDK nuk bën mocion të shpërbërjes së Kuvendit por është e gatshme për zgjedhje prej sot. Është e gatshme edhe për qeverisje pas zgjedhjeve”.
Top Channel