Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të premten vonë se Serbia “nuk është duke u përgatitur për luftë” me Kosovën, pas pretendimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se shteti serb e dërgoi ushtrinë e vet “disa metra” afër kufirit me vendin fqinj të enjten.
“Serbia nuk do të futet në luftë, do ta presë momentin për veprimin e saj politik”, tha Vuçiq për televizionin serb Prva të premten.
Të enjten pak para mesnatës, Kurti tha se “njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën” dhe publikoi, siç pretendoi, pamje të tyre.
Vuçiq tha se ato pamje “janë nga zona e sigurisë tokësore”.
“Kurti dëshiron që të ndodhë diçka që SHBA-ja të ndërhyjë kundër Serbisë”, tha Vuçiq.
Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra.
Më herët gjatë ditës, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Shtetet e Bashkuara janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se ia kanë bërë me dije Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.
“Në Serbi, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e di mirë se çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm, do të konsiderohej rrezikim i forcave të NATO-s, që janë aty për të mbrojtur popullsinë, shqiptarët dhe serbët. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës”, tha O’Brien.
Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha të premten për Radion Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë në Kosovë është “e qetë, por e brishtë”, dhe u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga retorika përshkallëzuese dhe ndarëse.
Vuçiq thirri seancë të Sigurisë Kombëtare
Vuçiqi e thirri një seancë të Sigurisë Kombëtare të Serbisë për të shtunën, shkak të një sulmi të madh me armë në kryeqytetin rus, Moskë, më herët gjatë mbrëmjes.
“Ka disa arsye për këtë”, tha Vuçiq për TV Prva.
Vuçiq tha gjithashtu se përveç “masave për mbrojtjen absolute të sigurisë së Serbisë, do të propozoj edhe disa ligje të reja”.
Seanca është paralajmëruar të mbahet një ditë më vonë, më 23 mars.
Së paku 40 persona u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën, pasi sulmues të armatosur qëlluan një sallë koncertesh në periferi të Moskës, thanë autoritetet ruse.
Sipas tyre, persona të armatosur hapën zjarr në sallën e koncerteve Crocus City në Krasnogorsk, afër Moskës, mbrëmjen e së premtes.
Shpërthime të njëpasnjëshme u raportuan, po ashtu.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë, siç tha, “këtë sulm të përgjakshëm terrorist”/ REL
Top Channel