Sulmet ukrainase me dron dëmtojnë rafineritë ruse të naftës! Zelensky: Kemi gjetur pikën e dobët të Rusisë

21/03/2024 19:34

Kohët e fundit Ukraina ka ndërmarrë një seri sulmesh me dronë kundër Rusisë duke dëmtuar rafineritë e naftës dhe ulur ndjeshëm kapacitetet përpunuese të Moskës.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, Kievi dhe aleatët e tij synojnë të dëmtojnë burimin e të ardhurave të Kremlinin nga shitja e naftës.

Një dron ukrainas fluturon në qiellin e mbuluar nga tymi mbi rafinerinë e naftës Ryazan në Rusinë perëndimore. Mjeti përplaset me fabrikën dhe shkakton një shpërthim të madh.

Sulmi i 13 marsit ishte pjesë e një vale goditjesh të kohëve të fundit që kishin si objektiv industrinë ruse të naftës. Kievi pretendon të ketë goditur të paktën shtatë rafineri. Analisti Tom O’Donnell thotë për Zërin e Amerikës se shumë prej rafinerive ndodhen në zonat fqinje me Ukrainën.

“Luftërat kërkojnë sasi të mëdha nafte për tanke dhe makineri të tjera. Ai rajon është përgjegjës drejtpërdrejt për naftën që furnizon makinerinë e luftës”.

Sulmet synojnë gjithashtu reduktimin e të ardhurave ruse nga nafta. Edhe rafineria në Nizhny Novgorod, rreth 775 kilometra brenda Rusisë, u godit me dron më 12 mars.

“Më parë, Rusia eksportonte po aq naftë bruto sa edhe karburante të përpunuara, por duke goditur rafineritë e përpunimit në thellësi të vendit, kjo e detyron Moskën që të shesë naftë bruto për të nxjerrë fitime”, thotë Thomas O’Donnell, analist për energjinë dhe gjeopolitikën.

Sulmet e fundit me dron e kanë pakësuar kapacitetin e përgjithshëm të përpunimit të naftës ruse me 370,500 fuçi në ditë ose 7% të totalit, sipas përllogaritjeve nga agjencia e lajmeve Reuters.

Presidenti i Ukrainës e vlerësoi ushtrinë për rritjet e aftësive me dron.

“Javët e fundit ka dalë në pah dobësia e makinerisë ruse të luftës. Ne mund t’i shfrytëzojmë këto dobësi me armët tona”, tha Presidenti Volodymyr Zelenskyy.

Sulmet e Ukrainës do ta rrisin më tej ndikimin e çmimit tavan për naftën ruse që ka vënë Perëndimi që nga dhjetori i vitit 2022 për të goditur ekonominë ruse.

Aktualisht, shumica e naftës ruse transportohet me anije cisternë përmes Detit Baltik, çka ofron një mundësi për aleatët e Ukrainës, thotë analisti O’Donnell.

“Anijet cisternë janë shumë të vjetra dhe me probleme. Në bazë të ligjit ato mund të ndalohen dhe të inspektohen nëpër ngushtica apo ujëra territoriale mes Danimarkës dhe Suedisë. Inspektorët mund të gjejnë se anijet nuk i përmbushin kushtet e sigurisë për transportimin e naftës, ose nëse kanë siguracionin e duhur për transportin dhe t’i kthejnë ato mbrapsht. Kjo do të ishte një ndërhyrje dramatike.”

Vendet e G7 e kanë ashpërsuar që nga dhjetori procesin e vëzhgimit për respektimin e kufirit të çmimit të naftës ruse. Kievi dhe aleatët e tij shpresojnë që përpjekjet e tyre të kombinuara do të kufizojnë burimin kryesor të të ardhurave të Rusisë që po financon luftën në Ukrainë. VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA