Ambasadori amerikan në Kosovë Jeffry Hovenier, i siguroi qytetarët e Kosovës “të mos shqetësohen” pasi një deklaratë e mëhershme e presidentit serb Aleksandër Vuçiçi po interpretohet atje si kërcënim për pushtim.
Presidenti serb akuzoi Perëndimin, në një manifestim në Beograd për përvjetorin e trazirave të marsit të vitit 2004 në Kosovë, se po “synon poshtërimin e Serbisë dhe ta çojë përpara të preferuarën e saj Kosovën”. “Nuk ka problem, i doni ata, nuk do të na keni neve. I doni ata dhe doni t’i ndihmoni ata? Do të mbijetojmë”, tha Vuçiçi. Ai shtoi më tej se “jemi mjaft të mësuar dhe mjaft të zgjuar dhe të guximshëm, dhe kemi mësuar mjaft, kemi fituar përvojë të mjaftueshme pas gjithë asaj çfarë na keni bërë në 25 vjetët e shkuara, për ta pritur çastin më të mirë të mundshëm dhe për të luftuar për mundësinë tonë.
Këtë nuk kemi përse ta fshehim nga askush”. I menjëhershëm ishte reagimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila i kundërshtoi ashpër këto deklarata duke theksuar se “Serbia vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja”. Ndërkohë, Hovenier i garantoi qytetarët e Kosovës se ka kush ua mbron krahët.
“Mund të them që përkushtimi ynë për sigurinë e Kosovës, garancitë e sigurisë që kanë ofruar Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të forta si kurrë më parë. Ne flemë rehat sa i përket këtij kërcënimi. Mendojmë se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme dhe mendoj se populli i Kosovës duhet të flejë rehat, sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prani të madhe këtu, që është e gatshme të bëjë gjënë e duhur”, u shpreh Hovenier.
Kosova dhe Serbia kohët e fundit kanë ashpërsuar retorikën ndaj njëra tjetrës dhe për këtë, komuniteti ndërkombëtar po bën përpjekje që të ulë serish në një tavolinë diskutimi palët në kuadër të dialogut për të zbatuar një marrëveshje për normalizim të raporteve të arritur një vit më parë.
Top Channel