“Lana Tirana Para Pas Albania: kështu është quajtur ekspozita më e fundit e fotografit Roland Tasho, i cili ka nxjerrë nga arkiva e tij foto të rralla që tregojnë Tiranën para dhe pas periudhës së tranzicionit.
“Për mua e rëndësishme është që të jepja dy kohë, e nisa me lumin Lana, me Pazarin e Ri dhe Piramidën, si ishte dhe si është. Kemi një fatkeqësi ne që harrojmë shpejtë, kjo është dhe një kujtesë”, tha fotografi Roland Tasho.
Secila prej fotografive mbart një histori. Rolandi na tregon atë që ai e cilëson si me të veçantën në ekspozitë.
“Kjo është foto që unë e nxjerr për herë të parë sepse normalisht është viti 1988, unë jam me motor, jam me një kapele, ndodhet dhe një radio, e cila më shumë nuk punonte se ishte radio me vale. Me këtë motorr kam bredhur nëpër Shqipëri, ku kam bërë fotografi të ndryshme”, u shpreh fotografi.
Ekspozita e fokusuar kryesisht në transformimin e tri vendndodhjeve kyçe të Tiranës – lumi Lana, Piramida dhe Pazari i Ri, do të qëndrojë e hapur ne Galerinë e Arteve në Tiranë deri më datë 7 prill.
Top Channel