Prapaskenat/ Rithemelimi fal dy koncesione! Dializa dhe laboratorët që kushtojnë 28 milionë euro në vit u hoqën nga objekti i hetimit

20/03/2024 19:44

Hetimi parlamentar për kontratat koncesionare në fushën e shëndetësisë ka falur që në fillim dy koncesione miliona euroshe.

Në një kohë që në kërkesën e parë të dorëzuar në Kuvend, parashikohej hetimi i katër koncesioneve në shëndetësi, në kërkesën që Rithemelimi ka paraqitur pas marrëveshjes me socialistët, janë përjashtuar nga hetimi parlamentar dy koncesione, ai i shërbimit të dializës, i cili po i kushton shqiptarëve 9 milionë euro në vit dhe koncesioni i laboratorëve që thith 19 milionë euro në vit nga taksat e shqiptareve.

Dy koncesionet që janë përzgjedhur nga Rithemelimi për t/u hetuar janë ai i check up dhe sterilizimi, dosja e të cilit është mbyllur nga SPAK dhe i ka kaluar gjykatës me disa të pandehur, përfshirë dhe ish-ministrin e shëndetësisë, Ilir Beqaj. Nuk është ende e qartë pse Rithemelimi i ka përjashtuar këto dy koncesione nga hetimi në një kohë që ishin përfshirë në kërkesën e paraqitur disa muaj më parë.

Opozita synon të hetojë edhe ndërhyrjet në sistemin TIMS. Komisioni do të drejtohet nga Ervin Salianji, i cili e ka denoncuar këtë çështje që në fillim. Pakti politik mes dy palëve parashikon edhe ngritjen strukture për ligjet dhe reformat që kërkojnë shumicë të cilësuar. Nga 6 anëtarë, opozitës i takojnë tre. Një vend Gazment Bardhi e rezervoi edhe për grupin e Lulzim Bashës.

“Zoti Oerd Bylykbashi, Erisa Xhixho dhe vendi i tretë i është dedikuar kolegëve brenda grupit parlamentar që ndajnë një mendim ndryshe në Partinë Demokratike. Mund të ma propozojnë në çdo moment përmes sekretarit të grupit”, tha Gazment Bardhi.

Ngritja e këtij grupi pune bashkë me anëtarët e komisioneve hetimore pritet të miratohen të enjten në seancë plenare.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel