Pas takimeve që pati në Tiranë me kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të lartë të shtetit, ndihmës sekretari amerikan Todd Robinson mbërriti në Kosovë ditën e sotme.
Ambasada e SHBA në Kosovë ka njoftuar se Robinson u ndal në Vërmicë ku diskutoi për rëndësinë jetike të bashkëpunimit kufitar në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikut ndërkufitar.
Në Kosovë, Robinson do të qëndrojë deri më 22 mars, por nuk do të ketë takim me kryeministrin Albin Kurti.
Mësohet se në Prishtinë, do të ketë një takim me presidenten Vjosa Osmani.
“Nga data 20-22 mars, Ndihmës Sekretari Robinson do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe me partnerët në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë”, njoftoi DASH.
Me vizitën e tij në Tiranë, gjatë një interviste të dhënë për Top Channel, Robinson u kujdes të theksonte se SHBA-të do të përdorin të gjitha mjetet si shpalljet “non-grata” dhe sanksionet e vizave për t’u siguruar që zyrtarë të rëndësishëm të paguajnë për akte të korruptive që mund të kenë kryer.
Top Channel