“Përmbushni rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore”/ Ambasadorët e QUINT-it dhe zv.drejtuesja e Misionit të SHBA në OSBE vizitë në Shqipëri

19/03/2024 16:26

Ambasadorët e Misioneve të Përhershme të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, si edhe zëvendësdrejtuesja e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, në Vjenë, vizituan Shqipërinë më 18-19 mars, si pjesë e një turi rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Grupi i vizitorëve përbëhej nga ambasadorja Fatène Benhabyles-Foeth (Francë), ambasadorja Susanne Schutz (Gjermani), ambasadori Stefano Baldi (Itali), ambasadori Neil Holland (Mbretëri e Bashkuar) dhe znj. Katherine Brucker (SHBA). Si pjesë e turit të tyre rajonal, ata do të vizitojnë edhe Malin e Zi, përpara se të shkojnë në Vjenë më 20 mars.

Gjatë vizitës në Shqipëri, ambasadorët zhvilluan takime me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe me Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Takimet ofruan mundësinë për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit, në nivelin kombëtar dhe rajonal, me fokus të veçantë te mbështetja e OSBE-së për programin e reformave në Shqipëri, përfshirë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ata folën për reformën zgjedhore dhe për kontributin e rëndësishëm të OSBE/ODIHR-it. Ambasadorët vlerësuan angazhimin e autoriteteve shqiptare për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore dhe theksuan rëndësinë e përmbushjes dhe të zbatimit të tyre përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm, edhe me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Bashkëbiseduesit ndanë edhe shqetësimet e tyre rreth luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe pasojave të saj të gjera për sigurinë dhe begatinë në Evropë dhe, në veçanti, në Ballkanin Perëndimor. Ambasadorët vlerësuan mbështetjen e fortë dhe parimore të Shqipërisë për Ukrainën në OSBE dhe në forume të tjera ndërkombëtare, e cila u vu në pah edhe gjatë Samitit të kohëve të fundit Ukrainë – Evropa Juglindore.

Ambasadorët vizituan Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe u takuan me stafin e saj për t’u njohur me veprimtaritë dhe projektet e shumta e të rëndësishme që zhvillon Prezenca. Ata u takuan edhe me Grupin Këshillimor Rinor të Prezencës, i cili përbëhet nga të rinj 18-25-vjeçarë dhe që mbështet Prezencën në integrimin e perspektivës rinore në të gjitha planifikimet me veprimtaritë e saj programatike, duke rritur ndërgjegjësimin dhe duke promovuar vlerat e OSBE-së në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA