Turmat njerëzish u mblodhën mëngjesin e sotëm në veri të Londrës për të admiruar një murale në formën e një trungu peme, e cila u shfaq papritur në një ndërtesë të zonës e që besohet se është krijim i artistit të famshëm të rrugës, Banksy.
Autorësia e murals që tregon një pemë më kurorën e prerë në sfondin e godinës së lyer me bojë të gjelbër, nuk është konfirmuar ende plotësisht, megjithatë banorët lokalë nuk kanë asnjë dyshim madje i thanë agjencive të lajmeve se janë “krenarë dhe të lumtur” që artisti anonim, i vlerësuar në mbarë botën, zgjodhi pikërisht rrugën e tyre për krijimin më të fundit të tij.
“Mendoj që është vepër e Banksyt, jam i bindur për këtë. Nxitova që të vij me vajzën e të bëj një fotot këtu, ta ketë kujtim”, tha Gavin Hudson, banor.
“E pashë lajmin në mediat sociale, dhe thashë me vete: Paska një murale të Banksyt kaq pranë vendit ku unë jetoj, duhet ta shoh patjetër nga afër dhe ja ku jam, duket e mrekullueshme”, u shpreh aktori Mark Benson.
Një tjetër banore e zonës, Wanja Sellers, u shpreh gjithashtu “shumë e lumtur që Bansky zgjodhi lagjen e saj për artin e tij. “Ngjyrat e ndezura të gjelbërta përfaqësojnë Islingtonin, i cili është i lezetshëm, dhe natyrisht, Ditën e Shën Patrikut, e cila është e mirë dhe festive.
Përzgjedhja e ngjyrave të lagjes sonë e bën të duket si mesazh personal për banorët. Jemi shumë krenarë”, tha ajo. Bansky zakonisht e konfirmon punën e tij përmes llogarisë në Instagram dhe faqes që ka.
Një nga punët e tij të fundit, ku shiheshin disa dronë ushtarakë në Pekham, në jug të Londrës, u konfirmua dhjetorin e vitit të kaluar, por ajo u vandalizua më vonë prej dy burrave, të cilët tashmë janë arrestuar.
Top Channel