Mbrojtja Kuqezi në pikëpyetje! Nga pika më e fortë, sot për kombëtaren është thembra e Akilit

18/03/2024 20:02

Kombëtarja shqiptare fillon e plotë sot grumbullimin me të gjithë lojtarët që po mbërrijnë orë pas ore.

Ndryshe nga herët e tjera, kur reparti i mbrojtjes ka qenë pika jonë e fortë dhe sulmi apo mesfusha disi më ndryshe, këtë herë reparti i mbrojtjes ka një problematikë më të madhe. Mungesa e Ardian Ismailit dhe e Arlind Ajetit, apo minutat e pakta të Frederik Veseli bëjnë që ky repart të përfaqësohet si gjithmonë nga Berat Gjimshiti dhe i rikthyeri por me shumë pak minuta, Marash Kumbulla. Për Top Channel, Gjimshiti me të mbërritur në Tiranë duket, ashtu sic thotë vetë, gati.

Jam mirë, ndihem i freskët sepse nuk luajta as dje. Do të kemi dy ndeshje për të bërë disa prova dhe kemi kundërshtarë shumë të fortë, besoj që do të jemi gati“-shprehet Berat Gjimshiti.

Po si shihet sot në Itali, Shqipëria, si kundërshtari i parë i tyre në finalet e Europianit.

Të them të drejtë na shohin me shumë respekt. Që kur u mësua që ndeshjen e parë do ta kenë me ne në Europian kanë akoma edhe më tepër respekt, do të jetë një ndeshje shumë e bukur.

Së bashku me të rikthehet pas 1 viti, Marash Kumbulla, një ndër elementët shumë premtues të repartit të mbrojtjes, por kalimi tek Roma, me Mourinhon që nuk e kishte ndër të preferuarit dhe më pas dëmtimi i gjatë e ka lënë disi prapa 24 vjeçarin. Ndeshja ndaj Polonisë në mars të vitit 2023 ishte e fundit për të me kuqezinjtë.

“Jam shumë i lumtur dhe i gëzuar që jam rikthyer në kombëtare. Shpresoj të ketë disa minuta për mua sepse fizikisht ndihem shumë mirë, të paktën kështu mendoj unë“- u shpreh Marash Kumbulla.

Mungesa e Ajetit dhe e Ismajlit në qendër të mbrojtjes ndoshta do të jetë një mundësi e mirë për Kumbullën që të luaj në miqësoret ndaj Kilit apo Suedisë.

“Nuk e di, të shofim çfarë do të vendosë trajneri, por gjithsesi unë jam gati. Cfarëdo që ai të vendosë unë jam dakord me të.”

Top Channel