Zbardhen detajet nga mbledhja e Grupit të PS/ Amnistia penale do të kalojë për votim të enjten në Kuvend, Rama dhe Manja…

18/03/2024 11:33

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, mblodhën sot deputetët e PS për të diskutuar axhendën e javës së re në Kuvend.

Siç shihet edhe në pamje, pas mbledhjes Edi Rama ka qëndruar disa minuta jashtë ambienteve të Kryesisë së bashku me ministrin Ulsi Manja, e më pas është larguar, duke mos bërë asnjë koment për gazetarët.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu bën me dije se ditën e enjte, në Kuvend për miratim do të kalojë amnistia për të burgosurit.

Gjatë kësaj mbledhje mësohet se Rama iu ka kërkuar deputetëve të intensifikojnë punën në part. Në fjalën drejtuar deputetëve kryeministri Rama kërkoi që të vijohet puna me Organizatat Socialiste në terren dhe të intensifikohet komunikimi me anëtarët e këtyre organizatave dhe qytetarët në çdo zonë.

Kreu i grupit, Bledi Çuçi, informoi ndërkohë deputetët për rikthimin e Parlamentit në normalitet duke theksuar se s’ka asnjë marrëveshje e as do të krijohet ndonjë nënkomision ose strukturë e posaçme.

“S’ka asnjë nënkomision apo strukturë tjetër, thjesht në Komisionin e Ligjeve do të krijohet një mekanizëm dialogu për ligjet me 3/5 dhe ato që kanë lidhje me çështjet e integrimit europian. Opozita u rikthye andej nga kishte ikur. Ramë dakord të ndryshojmë objektet e komisioneve hetimore në Konferencën e Kryetarëve”, u shpreh Çuçi.

Në vijim të mbledhjes diskutimet u ndalën te projektligjet që janë në rendin e ditës për seancën e së enjtes, ku mes të tjerash pritet të kalojë edhe Akti Normativ për ndryshimet në Ligjin e Buxhetit, projektligji “Për Sigurinë Kibernetike”, “Projektligji për disa ndryshime në Ligjin për Gardën e Republikës” etj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA