Jo vetëm rënie eksportesh, por Shqipëria po përkeqëson edhe bilancin tregtar. Kjo do të thotë më pak produkte shqiptare në tregjet e huaja dhe më shumë prej tyre në tezgat tona.
Sipas INSTAT eksportet për muajin shkurt, ndoqën trendin e janarit duke u tkurrur me 16.1%, ndërsa importi i mallrave pësoi rritje me 6.4%. Deficiti tregtar për dy muajt e parë të vitit u rrit me 50%.
Konsumi i rritur në vend për shkak të turistëve dhe kapacitetet e dobëta të Shqipërisë për të prodhuar po bëjnë që ushqimet, por edhe mallra të tjera, kryesisht në sektorin e ndërtimit, t’i sigurojmë nga jashtë.
Grupet e produkteve shqiptare më të goditura janë tekstilet dhe këpucët, por edhe lëndët e para si mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike, ndërsa i vetmi grup që po mban ecurinë e njëjtë janë fruta perimet.
Faktorët kryesorë për dobësimin e eksporteve janë zhvlerësimi i monedhës europiane, kërkesa më e dobët nga eurozona si dhe rënia e çmimeve për lëndët e para në tregje ndër/kombëtare.
Sipas partnerëve tregtarë, shifrat e shkurtit tregojnë se vendi po humb avantazhin konkurrues në Europë me mallrat në tkurrje në Itali, Gjermani dhe Greqi, ndërsa po i rrit me rajonin, ku dallohet Kosova.
Ndërkohë kërcënimi i rebelëve Houthi të një prej arterieve kryesore tregtare në botë në Detin e Kuq ka ndikuar dhe në vendin tonë, pasi në shkurt ka rënie të ndjeshme të importeve dhe eksporteve me Kinën.
Top Channel