Presidenti i Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po përpiqen të shkatërrojnë marrëveshjen e Dejtonit.
Në një postim të gjatë në paltformën X, ish-Twitter, Dodik iu përgjigj deklaratave të Gabriele Escobar, duke thkesuar se etniteti serb ka forcë të madhe dhe se mund të funksionojë edhe “nën trysinë tinzare” të SHBA.
Madje ai përmend më tej edhe Kosovën, ndërsa thekson se çdo gjë po ndërmerret nga amerikanët për shkak të lidhjeve me presidentin rus Vladimir Putin.
“Nëse amerikanët po lobojnë që Kosova të jetë shtet, pse t’u pengojë Republika Sërpska si shtet. Republika Sërpska ka paga më të mira, ekonomi më të sigurt dhe eksport më të madh, më pak borxhe; ka gjithçka më të mirë se ai përbindëshi nga i cili ata po përpiqen të krijojnë shtet”, shkroi Dodik, që ngriti më tej pretendime se SHBA ka bërë përpjekeje prej vitesh që të dëmtojë Republikën Srpska.
“Ata nuk bëjnë asgjë, na sanksionojnë, i kërcënojnë bankat për të mos bashkëpunuar me Qeverinë, me autorietet e Republikës Sërpska, e akuzojnë Dodikun, mua, janë të bezdisur nga lidhjet tona me presidentin (e Rusisë) Vladimir Putin dhe që ne po i nisim bisedimet me BE-në”, shtoi ai.
Milorad Dodik, i cili është në listën e zezë të SHBA, prej dy vitesh po kërcënon me ndarje të Republikës Srpska nga Bosnjë Hercegovina. Por kjo gjë është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që po këmbëngulin që të mos shkelet marrëveshja e Dejtonit. Qëndrim që u mbajt edhe nga i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriele Escobar në intervistën e dhënë për Radio Europa e Lirë.
Top Channel