Lideri i Syrizës shkon të kryejë shërbimin e detyruar ushtarak megjithëse ka vetëm pesë muaj në krye të partisë më të madhe opozitare Syriza, lideri i saj Stefanos Kasselakis ka filluar sot shërbimin e detyruar ushtarak, ashtu siç e kërkon ligji grek.
Greko-amerikani që për një kohë kaq të shkurtër , u kthye nga një biznesmen homogjen në SHBA, në politikan në Greqi, madje mundi gjithë kandidatët dhe u zgjodh me shumicë votash kreu i të Majtëve në vend, ka shkuar në repartin ushtarak të Tebës, aty ku do të shërbejë për 20 ditë, siç e parashikon legjislacioni përkatës për homogjenët nën moshën 36 vjeç.
“Është një ditë e rëndësishme për çdo grek, aq më tepër për mua, një “fëmijë nga diaspora”, shkruan ai në rrjetet sociale ku ka publikuar edhe fotografitë e para, ndërsa thekson se është krenar që i shërben vendit.
“Kam vendosur t’i shërbej atdheut për gjithë jetën”, ka thënë ai pak para se të hynte në repartin ushtarak.
Pasi ka dorëzuar kartën e identitetit tek porta e hyrjes ,janë ndjekur procedurat e zakonshme për rekrutët e rinj, janë firmosur letrat përkatëse, i është nënshtruar një kontrolli mjekësor dhe ka marrë uniformën ushtarake. Më pas u dërgua në repartin, ku do të flejë me 15 rekrutët e tjerë.
Kasselakis është informuar se ka të drejtë të largohet me lejë si rekrut i ri ,ose të dielën , ose të hënën e kreshmës, por ka deklaruar se nuk do ta shfrytëzojë këtë leje.
Lideri i SYRIZA-s do të bëjë betimin në ditën e tij të lindjes , më 29 mars, kur të mbushë 35 vjeç.
Top Channel