Në lidhje me Marrëveshjen e Konferencës së Kryetarëve për rikthimin e rendit normal në Parlament kanë reaguar ndërkombëtarët, përkatësisht ambasadat.
Në lidhje me këtë vendim ka reaguar edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili vlerëson përgjegjësinë e treguar nga palët në arritjen e marrëveshjes.
“Përshëndes vendimin e sotëm të konferencës së kryetarëve, i cili bën të mundur rifillimin e funksionimit normal të parlamentit dhe vlerësoj lidershipin dhe përgjegjësinë e treguar nga palët në arritjen e marrëveshjes”, shkruan ambasadori i BE-së.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Alastair King-Smith, në “X” shkruan se është i kënaqur për këtë progres që u arrit.
“E di që kompromiset politike janë të vështira dhe kërkojnë guxim dhe vendosmëri. I kënaqur që shoh progresin e vazhdueshëm sot drejt kthimit të një parlamenti normal, funksional, i cili është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe perspektivës së ardhshme të Shqipërisë”, shkruan ambasadori Mbretërisë së Bashkuar Alastair King-Smith.
Ambasada Gjermane në postimin e saj në Facebook, shkruan se arritja e Marrëveshjes Konferencës së Kryetarëve është një shenjë inkurajuese për procesin demokratik.
“Ambasada Gjermane mirëpret marrëveshjen për rifillimin e aktivitetit konstruktiv të Kuvendit me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve politike të përfaqësuara. Kjo është një shenjë inkurajuese për procesin demokratik dhe për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Qytetarët/et me të drejtë presin që parlamenti i tyre të bëjë të mundur, që shkëmbimi dhe gara e ideve të ndryshme të zhvillohen paqësisht dhe në përputhje me rregullat. Vetëm në këtë mënyrë Parlamenti mund të përmbushë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në interes të qytetarëve të përfaqësuar nga deputetët”, shkruan Ambasada Amerikane.
Top Channel