Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, përshëndeti të enjten vendimin e qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për pronat e Manastirit të Deçanit.

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se njësitë e këtij misioni do të vazhdojnë të kujdesen për sigurinë përreth manastirit.

“Mirëpresim vendimin e institucioneve të Kosovës i cili njeh pronësinë e Manastirit të Decanit mbi disa hektarë tokë. Agjencia Kadastrale e Kosovës tashmë është udhëzuar të zbatojë këtë vendim”, tha ai duke shtuar se “njësitë tona të KFOR-it, që janë të angazhuara për mbrojtjen e kësaj zone fetare do të vazhdojnë të kryejnë këtë detyrë të rëndësishme, në përputhje me bashkëpunimin e gjatë e të mirëvendosur me autoritetet lokale fetare”.

Më herët gjatë ditës edhe shtetet e QUINT-it mirëpritën këtë vendim duke e cilësuar si “hap të rëndësishëm përpara të autoriteteve të Kosovës në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike”.

Qeveria e Kosovës njoftoi të mërkurën se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë mospajtimesh me diplomacinë perëndimore rreth kësaj çështjeje.

Zbatimi i vendimit me të cilin manastirit mesjetar, i njihet e drejta e pronës në mbi rreth 24 hektarë tokë, lidhet drejtpërdrejt me kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA