Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka konfirmuar të premten se blloku e ka caktuar një takim për të martën e ardhshme, 19 mars, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve.
Stano tha se në takim, i cili zhvillohet në Bruksel, do të bisedohet për çështjen e dinarit serb, përdorimin e të cilit autoritetet kosovare e ndaluan përmes një rregulloreje të re për valutën që hyri në fuqi në shkurt.
“Do ta kemi takimin e radhës në kuadër të dialogut të martën. Janë ftuar për këtë takim kryenegociatorët për të vazhduar diskutimet aty ku kishim mbetur pas takimit të fundit“, tha Stano.
Kryenegociator i Kosovës është Besnik Bislimi, ndërsa i Serbisë është Petar Petkoviq.
Më herët të premten, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit në lidhje me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Ai theksoi se shpreson një gjetjen e një zgjidhjeje urgjente për këtë çështje të martën në Bruksel.
“Unë ende jam duke shpresuar që, derisa kryenegociatorët do të takohen në Bruksel të martën, ata do ta gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e parave të gatshme në euro për këta njerëz”, tha Escobar për REL-in.
Banka Qendrore e Kosovës e filloi zbatimin e një rregulloreje të re nga 1 shkurti, e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret për pagesa me para të gatshme, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë kritikuar këtë vendim, duke thënë se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë parasysh ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë, prandaj kërkon shtyrjen e zbatimit të tij.
Kosova thotë se çështja e dinarit është teknike dhe nuk duhet të përfshihet në dialogun politik për normalizimin e raporteve. Ndërkaq, Serbia kërkon një zgjidhje politike për këtë çështje.
Për çështjen e dinarit, Kosova dhe Serbia diskutuan në Bruksel në fund të shkurtit. Por, në atë takim, ku Kosova u përfaqësua nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, nuk pati ndonjë rezultat.
I pyetur nëse BE pret që Kosova do të dërgojë përsëri delegacion nga BQK-ja në lidhje me diskutimet për dinarin, Stano tha se “takimi është ftuar të jetë në nivel të kryenegociatorëve”.
Pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë – e cila u arrit vitin e kaluar. BE-ja ka thënë se palët nuk kanë nisur ta zbatojnë atë. Kosova e akuzon Serbinë për pengim të kësaj marrëveshjeje.
Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
“Është gjë e mirë që ka mirëbesim që të merremi me këtë çështje. Po ashtu, zbatimi i përgjithshëm i marrëveshjes për implementim nga Ohri është çështje urgjente dhe kjo do të jetë në rend dite”, theksoi Stano.
Ditëve të fundit, në Kosovë dhe në Serbi ka pasur vizita nga perëndimorët në përpjeke për t’i bindur palët t’i kthehen me besim të mirë dialogut, si dhe për të gjetur zgjidhje për problemet urgjente.
Në Kosovë së pari për vizitë ishte i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, e më pas edhe emisari amerikan Escobar. Lajçaku e viziton Beogradin të premten më 15 mars.
Escobari u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjes, pra nuk është përpjekje e njëanshme që vetëm Kosova t’i marrë ato vendimet e zorshme”, tha Escobar gjatë një konference në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën.
Të gjitha këto takime, thonë burimet diplomatike në Bruksel, kanë për qëllim krijimin e atmosferës në të cilën mund të ketë përparim në zgjidhjen e probleme urgjente, e të tilla konsiderohen edhe përdorimi i dinarit në Kosovë dhe zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë./ REL.
Top Channel