Kryetari i LDK-së në opozitë, Lumir Abdixhiku, reagoi pas vendimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për zbatimin e vendimit të tokave të Manastirit te Deçanit, duke nënvizuar se ndërsa vendimi në vetvete i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm e për këtë nuk ka kundërshtim, qëndrimi i shefit të ekzekutivit nga ana tjetër, lë vend për dyshime.
Politikani opozitar e goditi Kurtin pikërisht në njërën prej pikave më të ndjeshme të tij, e pikërisht kauzat me të cilat arriti të grumbullojë rreth vetes mbështetje të madhe popullore. “Vendimet dhe opinionet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, ato nuk mund të kontestohen. Por ngritjes së kauzave të rreme me qellim ardhjen në pushtet, i thonë mashtrim!”, pohoi Abdixhiku për mediat në Prishtinë.
Ai i vazhdoi edhe me tej akuzat drejt rivalit politik me pretendimin se shtetasit e Kosovës kanë qenë subjekt i mashtrimit populist. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kalimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit kishte nxitur reagime të forta në Kosovë. Vetë komuna e Deçanit e ka ritheksuar në shumë raste se këto prona janë të dy ndërmarrjeve publike dhe se vendimi ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, kur administrata serbe i kishte kaluar tokat në fjalë në pronësi të manastirit.
Vendimi i Prishtinës zyrtare u përshëndet ndërkohë nga diplomatët perëndimorë, të cilët kujtuan se ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Europian.
Top Channel