Dakordësia PS-Rithemelim/ “Duhet të ketë vullnet edhe për Reformën Zgjedhore”, Korreshi: Ja cila është pika kryesore që duhet ndryshuar

14/03/2024 17:28

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi nëpërmjet një lidhje skype për emisionin “Breaking” me gazetaren Fiori Dardha në Top Channel, foli për dakordësinë e arritur mes PS-së dhe Rithemelimit për ngritjen e 2 komisioneve hetimore.

Korreshi tha se pas kësaj duhet të ketë një dakordësi edhe për Reformën Zgjedhore, ku sipas tij duhet të përfaqësohen shumica e deputetëve të opozitës. Deputeti renditi disa prej ndryshimeve që duhen bërë në ligjin zgjedhor duke theksuar rikthimin e koalicioneve.

“Shumica janë për lista të hapura, është një nga pikat kryesore. Ka disa pika të tjera, është rikthimi i koalicioneve. Duhet të ketë patjetër koalicion. Por edhe në rast se bëhen këto koalicione, secili duhet të ketë listat e veta. Pjesa dërrmuese nuk është për një rajon si zonë zgjedhore. Ky komision e ka afatin deri më 21 mars. Nëse do ketë një dakordësi, besoj se nuk ka më dyshime se është vullnet parlamentar që shumica e deputetëve të kenë përfaqësimin e tyre. Unë shikoj çfarë duan njerëzit. Njerëzit duan rikthimin e koalicioneve që është gjëja më kryesore mendoj unë”– tha Korreshi.

Sa i takon reagimeve të bëra nga Enkelejd Alibeaj që e konsideroi marrëveshjen si një ‘pazar’ mes Rithemelimit dhe qeverisë, Korreshi u shpreh se as nuk i ka lexuar.

Top Channel