Regjistrimi i Manastirit të Deçanit në Agjencinë Kadastrale, Rama: Mbështes plotësisht vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të “Kushtetueses”

13/03/2024 12:57

Kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështje të vendimit të Qeverisë së Kosovës e cila i kërkon Agjencisë Kadastrale të regjistrojë Manastirin e Deçanit, pas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai shprehet se inkurajon lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët e përbashkët për të treguar se Kosova është  një partner i matur dhe i besueshëm i Komunitetit Euroatlantik.

“E mbështes plotësisht vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit; më mirë vonë se kurrë. E inkurajoj lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i matur dhe i besueshëm i Komunitetit Euroatlantik”, shkruan Rama.

Qeveria e Kosovës urdhëroi sot Agjencinë Kadastrale të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat në afërsi të Manastirit të Deçanit.

Zbatimi nënkupton që pronat në afërsi të këtij Manastiri do të kalojnë në pronësi të Manastirit të Deçanit. Që nga viti 2016 ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohet, ku njëkohësisht edhe kryetari i Komunës së Deçanit ditë më parë ka deklaruar se nuk do të zbatohet asnjëherë një vendim i tillë.

Top Channel