Me kokën e enjtur dhe i gjakosur në trup! Aktivisti i opozitës ruse, njëherazi ish-shefi i shtabit të Navalny-t, sulmohet me çekiç në Lituani

13/03/2024 07:46

Aktivisti i opozitës ruse Leonid Volkov, i cili ka qenë ish-shefi i shtabit të liderit të ndjerë të opozitës ruse Alexey Navalny, u sulmua të martën jashtë shtëpisë së tij në kryeqytetin lituanez Vilnius, sipas zëdhënëses së Navalny, Kira Yarmysh.

“Leonid Volkov sapo është sulmuar jashtë shtëpisë së tij. Dikush theu xhamin e makinës dhe i hodhi gaz lotsjellës në sy, e më pas sulmuesi e goditi Leonidin me një çekiç,”  tha Yarmysh  në një postim në rrjetet sociale.

Ivan Zhdanov, drejtori i Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalny, tha se Volkov u sulmua “afër shtëpisë” dhe “ata i goditën këmbët me një çekiç si dhe i goditën krahët”.

Imazhet e shpërndara nga Zhdanov treguan Volkovin me një fytyrë të fryrë dhe një këmbë të gjakosur. Xhami i thyer dhe gjaku shihen pranë një makine në një foto tjetër. Volkov është dërguar në spital, tha Zhdanov në një postim në rrjetet sociale. Autoritetet lituaneze po hetojnë sulmin e së martës, tha ministri i Jashtëm i vendit Gabrielius Landsbergis në një  postim në X. “Autorët do të duhet të përgjigjen për krimin e tyre,” tha Landsbergis, duke e përshkruar sulmin si “tronditës”.

Sulmi vjen disa ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të Rusisë, të parë si një ushtrim kushtetues ku presidenti Vladimir Putin është i sigurt se do të fitojë mandatin e pestë.

Top Channel