I dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar ka vizituar sot (13 mars) Prishtinën ku është takuar me presidenten Vjosa Osmani me të cilën ka mbajtur edhe një konferencë për mediat.
Lidhur me kërkesat ndaj shteteve për t’u angazhuar në dialog, Osmani tha se Prishtina zyrtarë është tepër e përkushtuar por theksoi që në mënyrë që ky proces të jetë sukses duhet që BE të ketë një qasje të barabartë ndaj Kosovës dhe Serbisë.
“Jemi thellësisht të përkushtuar. Suksesi i këtij procesi varet edhe nga qasja parimore dhe e barabartë e ndërmjetësuesit në këtë rast të BE-së ndaj palëve dhe që është kruciale që të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të dakorduara në vitin e kaluar, veçanërisht marrëveshjes bazike dhe aneksit të Ohrit. Prandaj, qasja selektive vetëm neneve të caktuara të marrëveshjes nuk do të ndihmojë sepse të gjitha nenet kanë rëndësi, prandaj edhe zbatimi duhet të jetë i plotë dhe jo i pjesshëm. Në këtë drejtim, angazhimi dhe roli i SHBA-së mbetet kyç për një përmbyllje të suksesshme të procesit të dialogut që do të çonte drejt njohjes së ndërsjellë siç është përmendur në letrën e fundit të Presidentit Biden”- u shpreh Osmani.
Nga ana tjetër, Escobar tha se diskutimet ishin pëqendruar edhe në vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për heqjen nga qarkullimi të dinarit serb. Ai u shpreh më tej se edhe Serbia duhet të marrë vendime të vështira në mënyrë që marrëveshja e Ohrit mes dy vendeve të bëhet realitet.
“Ka shumë punë për të diskutuar për disa sfida, duke përshirë edhe vendimin e BQK-së për të gjetur mënyra se si të ecim përpara që përfshijnë Asociacionin po jo vetëm atë. Siç e përmendi edhe presidentja, të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë dhe gjithashtu për të pasë një marrëveshje historike. Por, ne ftojmë edhe Serbinë që të vazhdojë të zbatojë, prandaj nuk është një përpjekje unilaterale që vetëm Kosova duhet të marrë vendime të zorshme e të vështira që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet”– tha Escobar.
Top Channel