Analiza e Sacchit: Napoli s’ka mentalitet evropian si Interi

13/03/2024 09:14

Arrigo Sacchi, një ekspert i njohur i futbollit italian, duke komentuar humbjen e Napolit 3-1 ndaj Barcelonës, tha se skuadra e kaltër ende nuk e ka mentalitetin evropian për t’u përballur me ekipe të nivelit të lartë:

“Edhe pse Barcelona është një ekip plot me të rinj, me pak përvojë ndërkombëtare, e dominoi fushën ndaj Napolit. Në fund u kualifikua skuadra më e fortë dhe ajo që luajti më mirë në të dyja ndeshjet. Më vjen shumë keq për Napolin, i cili sezonin e kaluar arriti një sukses të vërtetë duke fituar titullin e Serisë A. Skuadra e Calzonas shfaqi pasiguri në mbrojtje, ku shpesh kapej në befasi, sepse linja nuk ishte e organizuar dhe pozicionuar mirë.”

Kritikat për Osimhen-Kvara: Dy lojtarët e mëdhenj napolitanë ishin veçanërisht negativë. Më befasuese ishte mungesa e pjesëmarrjes në manovër nga Kvara dhe Osimhen, dy elementët më të shumëpritur. Shpresat e Napolit ishin të përqendruara tek ata. Është e vërtetë që u shërbyen keq, por është po aq e vërtetë se ata lëviznin pak dhe keq. Napolit i mungon ende mentaliteti evropian, të cilin e ka Interi.

Atletico-Inter: Kam besim, sepse zikaltrit janë fizikisht mirë, luajnë futboll të shkëlqyer dhe kanë përvojën e nevojshme për t’u përballur me sfida të ngjashme. Megjithatë dua t’i paralajmëroj, sepse e njoh mirë mjedisin e Atleticos. Tifozët atje janë shumë të pasionuar, e shtyjnë ekipin përpara, e mbështesin fort. Ky mund të jetë problem për Interin.

Top Channel