Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ka konfirmuar të martën se komisioni do të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnjë e Hercegovinës në Bashkimin Evropian (BE).

Duke folur në Parlamentin Evropian (PE), Von der Leyen theksoi se raporti i përpiluar nga Komisioni Evropian dëshmon përparimin që e ka arritur Bosnja e Hercegovina, prandaj edhe i ka rekomanduar Këshillit të vendosë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me vendin ballkanik.

“Prej kur i dhamë statusin e kandidatit, Bosnja e Hercegovina ka bërë hapa mbresëlënës drejt nesh. Më shumë përparim është arritur gjatë pak më shumë se një viti, sesa gjatë një dekade“, tha Von der Leyen, duke i numëruar disa rezultate, përfshirë edhe faktin se Bosnja e Hercegovina tash e ka nivelin e përshtatjes 100 për qind me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Ndër arritjet e tjera, sipas saj, janë edhe ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, përfshirja e dënimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të krimeve të luftës në Hagë në regjistrin shtetëror të krimeve dhe disa rezultate tjera.

“Kjo është arsye pse ne sot vendosim që t’i rekomandojmë Këshillit që të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën. Mesazhi nga Bosnja e Hercegovina është i qartë. Prandaj edhe mesazhi ynë duhet të jetë i qartë po ashtu. E ardhmja e Bosnjë e Hercegovinës është në Bashkimin Evropian“, tha ajo.

Pas rekomandimit të Komisionit Evropian vendimin për nisjen e negociatave duhet ta marrin liderët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Kjo do të jetë në rënd të ditës në një samit që do të zhvillohet më 21 dhe 22 mars në Bruksel.

Në Procesin e zgjerimit ndodhen momentalisht 10 vende.

Prej tyre, 9 kanë status kandidati dhe vetëm Kosova është vend i cili nuk e ka një status të tillë, edhe pse ka aplikuar për anëtarsim në bllok.

Turqia, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Ukraina dhe Moldavia kanë edhe vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Status kandidati kanë edhe Bosnje e Hercegovina dhe Gjeorgjia, por deri tash nuk kanë vendim për hapjen e negociatave./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA