Vallëzuan në mes të sheshit në Teheran, arrestohen dy gra iraniane!

12/03/2024 12:49

Një video e përhapur në rrjetet sociale, e cila i tregonte duke vallëzuar në sheshin e Teheranit, vulosi fatin e dy grave të arrestuara me pretekstin se veprimi i tyre përbënte një “kundërshtim shoqëror”.

Prokuroria e kryeqytetit Iranian urdhëroi ndalimin  grave  për “veprime që thyejnë normat”, sipas raportimit nga agjencia e lajmeve Tasnim. Të dyja ato ishin veshur sipas një personazhi imagjinar iranian, i njohur si “Haxhi Firuz”. Haxhi Firuz tradicionalisht lidhet me festimet që çojnë në Nevruz – Viti i Ri Persik, që shënon fillimin e pranverës më 20 mars.

Në Republikën Islamike, kanë shtuar ndjeshëm tensionet lidhur me sjelljen në publik dhe zbatimin e kodit të rrepte vendas të veshjes. Por përmes një video në mediat sociale u raportua dhe një incident në qytetin e Qomit, ku një klerik filmonte një grua e cila kishte çuar fëmijën në një klinikë mjekësore, dhe nuk mbante hixhabin. Kjo shkaktoi reagime në mediat sociale, me raportimet fillestare që pretendonin se gruaja, së bashku me stafin e klinikës, u përballën me arrestimin nga ana e inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike.

Prokurori i Qomit ka urdhëruar më pas një hetim për të identifikuar personat përgjegjës për shpërndarjen e pamjeve në media. Hixhabi, ose shalli islamik i kokës, u bë i detyrueshëm për gratë dhe vajzat mbi moshën 9-vjeçare në vitin 1981, dy vjet pas Revolucionit Islamik në Iran. Megjithatë, gjithmonë e më shumë gra e kanë shkelur rregullin në rrjedhën e viteve dhe kanë shtyrë kufijtë e asaj që zyrtarët thonë se është veshje e pranueshme.

Top Channel