Fiks Fare/ Noterit iu hoq licenca në 2021-shin, nuk dorëzon arshivën dhe vulën. Vijon të bëjë akte noteriale…

12/03/2024 20:43

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës një ish-noter, të cilit megjithëse i ishte hequr licenca në vitin 2021, vijonte të punonte.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua një qytetar, i cili tha se në vitin 2016 ka bërë një akt noterial para noterit Dehar Muça. Ai thotë se noteri e kishte zyrën në Unazë, në afërsi të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Akti noterial ishte një testament nga i ati i tij, i cili më vonë ka ndërruar jetë. Koha kaloi dhe dy vite më parë ka shkuar te noteri për të hapur këtë testament. Noteri fillimisht e ka sorollatur, duke i gjetur justifikime pafund.

Sërish ka pritur dhe e ka takuar noterin disa javë më parë në rrugë, pasi noterin s’e gjente dot te zyra e tij. Noteri i tha se ia hap ai testamentin dhe më pas ta dorëzojë në Kadastër. Pas kësaj përgjigje, qytetari ka pasur dyshime dhe është interesuar te Dhoma Kombëtare e Noterëve, ku ka mësuar se noterit Dehar Muça i ishte hequr licenca në muajin qershor 2021. Arsyeja e heqjes së licencës kishte të bënte se noteri ishte regjistruar në qarkun e Dibrës, por aktivitetin e ushtronte në Tiranë. Madje, ai përdorte në aktet e veta noteriale Rruga e Dibrës, kur në fakt duhet të shkruante Dibër!

“E kam takuar sërish këtë noter dhe më tha sërish se ta hap unë testamentin. I thashë se ta kanë hequr licencën dhe ai sërish më tha se e ka arkivën dhe vulën” pohon qytetari. Ai saktëson se noteri ende se ka dorëzuar vulën dhe arkivën, madje ka mësuar se ai bën akoma akte noteriale pavarësisht se i është hequr licenca. Qytetari thotë se Dhoma e Noterëve dhe Ministria e Drejtësisë ia kanë kaluar në qershor 2021 arkivën noterit tjetër Ilir Krashi. “Kontaktova me z. Krashi dhe më tha se ende s’më ka kaluar arkiva dhe vula. Si puna ime ishin me qindra persona”, pohon ai.

Pas ankesës, qytetari kontakton në telefon me noterin Ilir Krashi, nga Dibra i cili është caktuar që të marrë arshivën e noterit Dehar Muça. Noteri Krashi thotë se ende s’e ka marrë arkivën, pasi Dehari s’ka pranuar. “Mos hajde kot në Peshkopi. S’e kam marrë arkivën dhe vulën. Duhet t’më kalonte në qershor 2021, por akoma s’po e gjejnë” thotë ai. Qytetari e pyet se ka kontaktuar me këtë noter dhe i kanë thënë se ai është i gatshëm që ta hapë. Noteri Krashi i thotë se akti i hapjes është i paligjshëm, pasi asnjë institucion shtetëror nuk pranon akte nga ai. “Me sa kam dëgjuar, ish noteri vijon të bëjë akte noteriale” thotë Ilir Krashi.

Fiksi e kërkon noterin te zyra që ka pasur, në afërsi të Drejtorisë së Arkivave. Por, një punonjëse në atë zyrë thotë se noteri prej 1 viti është larguar dhe se ajo s’ka as numër dhe as adresë të saktë.

Gazetarët bisedojnë me kryetaren e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushi. Zonja Sadushi thotë se noterit Dehar Muça i është hequr licenca dhe ai s’duhet të bëjë asnjë veprim. Madje pohon se s’ka as sistem, pasi i është mbyllur. Në lidhje me vulën dhe arshivën, noterja thotë se Ministria e Drejtësisë ka kontraktuar një përmbarues për ekzekutimin e vendimit të vitit 2021. Madje, përmbaruesi ka kontaktuar me ish noterin, por ky i fundit s’ka pranuar të japë vulën dhe arshivën. Përmbaruesi ka bërë kallëzim penal. Në lidhje me vijimin e bërjeve të akteve noteriale, noterja Sadushi pohon se institucionet shtetërore ia kanë kthyer, pasi vendimi i Ministrisë së Drejtësisë i ka shkuar të gjitha institucioneve. Madje, edhe deklaratat kanë një kod dhe këtë kod s’e ka më ky ish noter. Gazetarët e pyesin nëse këto akte pas heqjes së licencës, quhen falsifikim, ajo përgjigjet se “po, janë të falsifikuara”.

Gazetarët tentojnë të kontaktojnë edhe me ish-noterin Dehar Muça, por numri i telefonit të tij rezulton “jashtë përdorimit”.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA