“Aktualisht kemi problem komunikimi me Kurtin”/ Escobar: Partneriteti SHBA-Kosovë nuk varet nga një njeri apo një parti

12/03/2024 21:43

I dërguari i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të martën se “partneriteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është në mes të popullit amerikan dhe popullit të Kosovës dhe nuk varet nga një njeri apo një parti”, duke i bërë jehonë një qëndrimi të përsëritur ditëve të fundit nga zyrtarë amerikanë që bëjnë dallimin ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës.

Ai i bëri këto komente në një bashkëbisedim me gazetarë nga Brukseli prej nga filloi një vizitë në Evropë, gjatë së cilës pritet të qëndrojë në Prishtinë, për të diskutuar rreth procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe çështjen e përdorimit të dinarit në zonat e banuara me shumicë serbe.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërsa kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

“Më duhet të them se aktualisht kemi problem komunikimi me kryeministrin (Albin Kurti) dhe ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara. Mendoj se është problem në komunikim që Kosova ka me Bashkimin Evropian, me NATO-n, me Britaninë e Madhe, me Shtetet e Bashkuara dhe shumë partnerë të tjerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Escobar, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara kanë pasur “një partneritet shumë, shumë të afërt me Kosovën në të kaluarën; do të na pëlqente shumë që ta kthejmë atë lloj marrëdhënie sërish siç ishte dikur.”

Escobar i bëri thirrje qeverisë së Kosovës t’i marrë parasysh shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar lidhur me trajtimin e pakicave, ndërsa numëroi disa arsye shqetësuese lidhur me zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e dinarit.

“E para është shpejtësia e zbatimit. Nuk e diskutojmë legjitimitetin e vendimit por zbatimin e tij. U desh pothuajse një vit për të zbatuar vendimin për përdorimin e euros, ndërsa në veri të Kosovës duan ta zbatojnë për më pak se tri javë. E dyta, qeveria nuk afroi alternativë që njerëzit të marrin pagesat që u takojnë. Dy javë para shpalljes së vendimit Kosova u pajtua bashkë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor për një mekanizëm pagesash që do të hyjë në fuqi deri në fund të vitit. E pesta, ne po përpiqemi të bindim Kosovën të lejojë komunitetin ndërkombëtarë që të ofrojë ndihmë teknike për të zgjidhur këtë çështje. Kosova duhet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje për këtë vendim që ishte katastrofik dhe jokompetent”, tha Escobar.

Ai i bëri thirrje Kosovës të përmbushë detyrimin ligjor për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili sipas tij do të ndihmonte zgjidhjen e çështjes së dinarit, ndërsa e siguroi Kosovën se Asociacioni nuk do të jetë një Republikë Serbe dhe as shtet brenda shtetit.

Diplomatët amerikanë kanë paralajmëruar Prishtinën se mungesa e bashkërendimit pengon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike. Escobar tha se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s kalon nëpër pesë vendet që nuk e njohin pavarësinë e saj dhe të gjitha ato duan të shohin përparim në çështjet që janë në pajtim me dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Duke e injoruar dialogun, Kosova po i injoron partnerët evropianë. Është e pamundur për ne që t’i bindim ata të ecin përpara drejt integrimit të mëtejmë të Kosovës. Jam shumë i shqetësuar që Kosova nuk po dëgjon ofertën amerikane për partneritet në çuarjen më tej dhe më shpejt integrimin e Kosovës”, tha Escobar.

Ai u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër dhe të shmangin çdo provokim që mund të dëmtojë marrëveshjet dhe të krijojë më shumë tensione ndërmjet dy vendeve.

Vëzhgues të pavarur kanë theksuar shpesh se qasja amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor ka ndryshuar pas agresionit rus në Ukrainë. Por Escobar tha se ka ndryshuar urgjenca për trajtimin e sfidave ndaj qëndrueshmërisë evropiane. Në këtë kuadër tha ai, është shumë më urgjente të zgjidhen disa nga sfidat në Ballkanin Perëndimor dhe kjo përfshinë hapjen e rrugës që Serbia të jetë më e integruar në strukturat euro-atlantike.

“Duke e bërë këtë, duam të sigurohemi se nuk i sakrifikojmë aleancat dhe partneritetet tona të tjera në rajon. Kosova është një nga to. Kosova është partner shumë i rëndësishëm”, tha ai.

Escobar i cili do të qëndrojë edhe në Mal të Zi, tha se zgjidhja e sfidave në Ballkan do të mbyllte mundësitë për Rusinë që të shfrytëzojë çfarëdo paqëndrueshmërie në rajon, për të dobësuar sigurinë transatlantike./ Zëri i Amerikës

Top Channel