Mesazhi i Wisner në Kuvend/ Diplomati i SHBA-së: Parlamenti t’u shërbejë qytetarëve! Nikolla: Duam ta kthejmë në normalitet

11/03/2024 19:32

Në një kohë kur java e shkuar prodhoi shkrirjen e parë të akullit, mes shumicës parlamentare dhe opozitës me më shumë deputet në parlament, David Wisner i ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-së është takuar me Kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla.

Zyra e Shtypit në Kuvend thotë se gjatë takimit u diskutua mbi angazhimi kryetares Nikolla për rikthimin e veprimtarisë së Kuvendit në normalitet, çka zyrtarizon atë që deri më sot palët e kanë pranuar jashtë kamerave.

Zyra e Shtypit citon David Wisner të ketë thënë në takim se “Parlamenti është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe sistemin demokratik dhe është e dobishme që palët në Kuvend të angazhohen për t’u shërbyer qytetarëve dhe të ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë”.

Kjo vizitë e diplomatit amerikan në kryesin e kuvendin vjen në një kohë kur shumica socialiste bashkë me pjesën e opozitës përfaqësuar prej Gazment Bardhit po tentojnë arritjen e një dakordësie e cila do t’i jepte fund kaosit të parlamentit nisur Tetorit të shkuar.

Top Channel mëson se socialistët janë në pritje të hapave që do të hedhë Gazment Bardhi. Në takimet e javës së shkuar socialistët kanë shprehur gadishmëri të shqyrtojnë propozimet e Gazmet Bardhit për komisionet hetimore bazuar në vendimin e gjykatës kushtetuese dhe ligjin e ri për komisionet hetimore.
Socialistët nuk kanë ndërmend të hapin shishe shampanje apo ndonjë ceremoni pompoze në nënshkrimin e një marrëveshje mes Bledi Çuçit dhe Gazment Bardhit.

Tashmë pozicioni socialistëve është shumë i qartë. Tejkalimi bllokimit të parlamentit kalon përmes mekanizmave në kryesinë e kuvendit, ku platforma propozimeve dhe diskutimeve, është Konferenca e Kryetarëve.

Testi i parë nëse Gazment Bardhi do të shkojë me propozime konkrete dhe realisht është i interesuar për një jetë normale parlamentare, do të jetë të Martë ora 13:30 ditë në të cilët Lindita Nikolla ka thirrur Konferencën e Kryetarëve.

Top Channel