“S’kemi gisht”/ Lista Serbe mohon akuzat e nënkryetares së Zveçanit për djegien e lokalit

09/03/2024 17:49

Lista Serbe ka reaguar duke dënuar siç tha, “pretendimet dhe akuzat e rreme” ndaj saj lidhur me djegien e lokalit të nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomanic.

Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi “elementet kriminale” për ngjarjen, ndërsa Tomanic vetë e drejtoi gishtin e akuzës nga forca kryesore politike e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – duke e lidhur atë me djegien e lokalit në pronësi të vet.

Tomanic është nënkryetare e komunës së Zveçanit, që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Lista Serbe hodhi dyshime për motivin e zjarrit në lokal, duke thënë se ka paralajmërime se në atë vend do të ndërtohet një lokal edhe më i madh “me njerëz nga jugu” dhe me paratë e Prishtinës, “pa leje, dhe kushedi se për çfarë qëllimi dhe për këtë Lista Serbe fajësohet politikisht”.

“Interesante se si Natasha Tomanic, ashtu si dhe shefi i saj , Albin Kurti, e dinë shkakun e zjarrit para se të kryhet ndonjë hetim dhe të dalin rezultatet nga shërbimet profesionale”, deklaroi sot Lista Serbe. Policia e Kosovës është duke e hetuar ngjarjen e ndodhur orët e para të së premtes, dhe e thekson se ka vërtet dyshime se mund të bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.

Tomaniq deklaroi për REL-in se dyshon që motivi i zjarrvënies është se ajo ka ndihmuar serbët në veri të Kosovës të punësohen në institucionet e Kosovës.

Top Channel