Studentët përleshen me policinë në Greqi kundër ligjit të universiteteve private (fotot)

08/03/2024 18:59

Mijëra studentë protestuan sot para parlamentit në Athinë para aprovimit të ligjit të kontestuar për universitetet private, për të cilin ata thonë se krijon dy kategori dhe favorizon të pasurit.

Ligji i ri kërkon të bëjë diplomat ekuivalente mes të dyjave, teksa universitete të huaja do të lejohen të hapen në Greqi, me status OJQ e pa paguar taksa, megjithëse do të marrin pagesa për studimin.

Policia me veshje të rënda para parlamentit përdori shkopa gome e gaz lotsjellës ndaj studentëve për t’i mbajtur larg ndërtesës teksa brenda votohej ligji.

Disa protestues lëshuan koktejl Molotov dhe i vunë zjarrin koshave të mbeturinave, teksa u raportua se tetë persona ishin arrestuar.

Policia tha se rreth 17,000 njerëz kanë marrë pjesë në protestat e javëve të fundit në sheshin Syntagma kundër reformës së universiteteve. Organizatorët thonë se pjesëmarrja ka qenë të paktën 30,000.

“I themi jo, arsimit vetëm për pak të zgjedhur, duam arsim falas për të gjithë”, brohorisnin protestuesit, mes disa sloganeve.

Demonstruesi 19 vjeçar Iraklis Marinopoulos, tha se reforma “dëmton” universitetet publike dhe kërcënon shkollat e mesme të qytetet e vogla greke.

“Studentët e pasur do të mund të hyjnë dhe me nota të ulëta, më pas ata vetëm do të paguajnë për të marrë diplomën”, tha ai për rrjetin AFP.

Ndërsa kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha në parlament se reforma do të aftësojë studentët grekë “të studiojnë në universitete ndërkombëtare pa dalë fare nga shtëpia”.

FOTO GALERI
1/11
Mijëra studentë protestuan sot para parlamentit në Athinë para aprovimit të ligjit të kontestuar për universitetet private

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA