Fiton statusin e paraplegjikes pas vdekjes, lekët nuk i mori dot sa ishte gjallë! Pas ndërhyrjes se Fiksit, familja merr paratë  

08/03/2024 21:54

Disa ditë më parë, në redaksinë e emisionit Fiks Fare erdhi një mesazh. Qamile Vathi, 67 vjeçe, kërkonte ndihmë për të marrë pensionin e vajzës së ndjerë.

“Vajzën e kisha me kemp dhe ajo vdiq në dhjetor. Por nëntorin dhe dhjetorin nuk ja kanë dhënë. Kërkoj kempin e vajzës edhe pse ajo ka vdekur”. Pas këtij mesazhi, gazetarët e Fiks Fare udhëtuan në fshatin Tapizë, në Njësinë Administrative Zall Herr në Kamëz. E moshuara, e cila tashmë jeton vetëm, kërkonte kempin e vajzës, Aida Vathi, 33 vjeçe, e cila nuk arriti t’i merrte sa ishte gjallë.

E ndjera Aida Vathi, dy muaj para se të ndërronte jetë, kishte përfituar statusin si paraplegjike. Nga ky status ajo do të përfitonte një pagesë prej 45.000 lekë të reja, ku përfshihej dhe pagesa e kujdestarisë. E ëma mes lotësh tregon se vajza e saj doli në pension në datë 1 nëntor 2023. Ndërkohë, në datë 23 dhjetor ndërroi jetë.

E moshuara thotë se vajza e saj nuk ka marrë dy muaj kemp. “Kam shkuar disa herë për të kërkuar paratë e vajzës dhe kam pyetur se përse nuk më janë hedhur. Përgjigjja që kam marrë është se nuk është firmosua nga drejtoria përkatëse, pasi nuk është përfituese”- thotë e moshuara.

Më tej pohon se kjo përgjigje i është thënë disa herë nga përgjegjësja e zyrës së sigurimeve shoqërore. Ndërkohë, Shërbimi Social e ka pajisur me librezën e statusit paraplegjik – tetraplegjik. “Vajza ime e ndjerë s’ka marrë as shpërblimin e fundvitit. Kërkoj nga Fiks Fare të më ndihmojë”-përfundoi 67 – vjeçarja.

Pas ankesës së 67 vjeçares, Fiks Fare iu drejtua Njësisë Administrative Zall Herr në Kamzës.

Fillimisht, gazetarët kontaktuan me disa punonjës, të cilët pohuan se përgjegjësja e Shërbimit Social në atë njësi nuk ndodhej në zyrë. “Nuk ndodhet në zyrë. Duhet të bëni një kërkesë për informacion dhe do të merrni përgjigje” pohuan ata. Dhe, pas këtyre përgjigjeve, Fiksi iu drejtua kësaj Njësie Administrative me një kërkesë për informacion. Gazetarët i pyetën se përse nuk i është dhënë pensioni vajzës deri sa ishte gjallë? I kërkuan informacion edhe për sorollatjet e 67 vjeçares, e cila kishe shkuar disa herë në këtë institucion.

“Jemi në dijeni për këtë problematikë, në lidhje me pagesën e të ndjerës, Aida Vathi. Kjo pagesë nuk i është kaluar për arsye sepse vajza ka ndërruar jetë në datë 23 dhjetor 2023 dhe ishte rast për tu diskutuar. E ndjera Aida Vathi është trajtuar gjithmonë me pagesën e aftësisë të kufizuar dhe në datën 1 nëntor 2023 ka përfituar edhe statusin paraplegjik – tetraplegjik” thuhet në këtë përgjigje.

Më tej pohojnë se pagesa, bashkë me prapambetjen e muajt nëntor 2023, duhet të ishte bërë me borderonë e muajt dhjetor 2023. “Por, pas korrespondencave që kemi pasur me Drejtorinë e Kujdesit Shëndetësor dhe Shërbimeve të Integruara, jemi vënë në dijeni me e-mail se pagesa e personave që ishin me prapambetje do të kalonin në muajin janar 2024, për shkak të mungesës së fondeve. Në muajin janar 2024, kjo pagesë nuk është kaluar, pasi nuk kemi pasur një rast të tillë, pasi e ndjera në muajin nëntor dhe dhjetor 2023, ka marrë pagesën e aftësisë së kufizuar dhe ishte rast në diskutim” thuhet në këtë përgjigje.

Njësia Administrative pranoi se ka pasur mungesë fondesh. Por, kur është dorëzuar dosja dhe përse kanë ndodhur këto vonesa? Dhe, çfarë zgjidhje do t’i japë Bashkia e Kamzës kësaj familje? “Dosja e të ndjerës Aida Vathi është dorëzuar me datë 3 tetor 2023 dhe është marrë në datë 23 nëntor 2023. Bazuar në ligjin e personave që përfitojnë statusin paraplegjik – tetraplegjik, pagesa e aftësisë të kufizuar bie poshtë dhe automatikisht merr statusin paraplegjik  -tetrapelgjik. Në këtë rast, ne do bëjmë diferencën e pagesës së marrë nga aftësia e kufizuar dhe shuma që do merret për dy muaj prapambetje është 41.538 lekë. Bashkë me shumën është dhe shpërblimi që do hidhet në borderonë e muajt shkurt 2024. Këtë pagesë mund ta tërheqë pranë zyrës postare Zall-Herr në muajin mars 2024” përfundon Njësia Zall Herr.

Fiksi kontakton me zonjën Qamile Vathi, duke e njoftuar se për përgjigjen dhe se pagesën e mbetur duhet ta tërheqë në muajin mars. “Faleminderit Fiks Fare. U sorollata disa muaj dhe falë ndërhyrjes së Fiksit mora ato që i takonin vajzës” thotë 67–vjeçarja.

FOTO GALERI
4/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA