Deputeti i PD, Ervin Salianji u shpreh se deri sa të kenë zbatimin e kërkesave të tyre, nuk do të lejojnë që të zhvillohen seanca normale në Parlament.

I ftuar në “Breaking” në Top News, ai deklaroi se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, mund të ketë dhe forma më të ashpra reagimi prej deputetëve të PD.

“Mendoj se do ketë dhe forma më të ashpra të deputetëve të PD për të rikthyer kuvendin në shinat e kushtetutës”, tha ai.

Më tej Salianji u shpreh se PD ka nevojë për hapje dhe riorganizim.

“Ne dhe kur kemi qenë një parti, ka pasur përplasje mendimesh, ndaj i nënshtrohet votës. Nëse do ishte për shkak të mendimit tim, unë e kam thënë që PD duhej të kishte lider të ri, por qytetarët kanë menduar se duhej të jetë Sali Berisha. Pra ka disa rregulla. Besoj se PD ka nevojë për hapje, rikonceptim, ribërje në komunikimin dhe qasje me njerëzit… por besoj se ky ekip është ekipi që duhet të përgatisë zgjedhje”, tha ai.

Ndërkohë i pyetur nëse do të kenë një qeveri ‘hije’ kur të hyjnë në garë dhe kush do të jetë në krye të saj, ai tha se kjo mbetet për t’u diskutuar.  Salianji shtoi se kandidat për kryeministër mund të jetë Berisha, pasi sipas tij është votuar nga qytetarët për të qenë në krye të PD.

“Për t’u diskutuar është… qeveritë ‘hije’ në praktikë në gjithë Evropën ka treguar se nuk funksionojnë. Në mendimin tim gjithsecili në gjithë aktivitetin që ka me njerëzit, e ka krijuar profilin për qeverinë ‘hije’… në perceptimin e publikut, derisa Berisha është votuar nga 500 mijë qytetarë, kandidati për kryeministër është ai”, tha deputeti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA