Bashkëshortja e djalit të ish-presidentit Trump, në post drejtues në Komitetin Kombëtar Republikan

08/03/2024 21:09

Ish-presidenti Donald Trump konsolidoi të premten kontrollin e tij mbi Komitetin Kombëtar Republikan pasi bashkëshortja e djalit të tij dhe një tjetër aleat i tij morën poste drejtuesish. Këto lëvizje vijnë ndërsa brenda kësaj partie po diskutohet nëse organizata duhet të ndihmojë për pagesat e faturave ligjore të ish presidentit.

Gjatë takimit në Hjuston të Komitetit Kombëtar Republikan, anëtarët votuan për të caktuar kryetarin e Partisë Republikane për Karolinën e Veriut, Michael Whatley, dhe Lara Trump, në postin e kryetarit dhe bashkëkryetares së kësaj organizate, që pritet të luajë një rol kyç në mobilizimin e votuesve dhe fondeve për zgjedhjet e përgjithshme të 5 nëntorit.

Kjo lëvizje erdhi pasi ish-presidenti Trump fitoi bindshëm në zgjedhjet paraprake gjatë Super të Martës, duke e shtyrë ish ambasadoren Nikki Haley që të largohej nga gara brenda Partisë Republikane dhe e duke bërë kështu pothuajse të sigurtë se zoti Trump do të jetë kandidati zyrtar në zgjedhje përballë presidentit demokrat Joe Biden.

“Objektivi për 5 nëntorin është të fitojmë, dhe të fitojmë siç thotë vjehrri im ‘masivisht’,” tha Lara Trump, duke premtuar se “çdo cent i çdo dollari të mbledhur” do shërbejë për fitoren e republikanëve në Shtëpinë e Bardhë, në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.

Me këtë lëvizje zëvendësohet Ronna McDaniel, e cila drejtonte deri më tani Komitetin Kombëtar Republikan. Zonja McDaniel u përball me kritika për mbledhjen e fondeve dhe rezultatet në votime. Gjatë drejtimit të saj, zoti Trump humbi zgjedhjet në vitin 2020 dhe partia pati rezultate më të dobëta se ç’pritej në zgjedhjet e mesmandatit për në Kongres, në vitin 2022.

Disa nga anëtarët e Komitetit Kombëtar Republikan kanë bërë thirrje që ky komitet të ndihmojë me pagesat e shpenzimeve ligjore të zotit Trump, të cilat së bashku me kamatat arrijnë në qindra miliona dollarë. Zoti Whatley dhe zonja Lara Trump nuk komentuan për këtë çështje të premten.

Kjo lëvizje konsolidon më tej kontrollin e ish presidentit mbi një organizatë misioni i së cilës është që të ndihmojë për fitoren e kandidatëve republikanë. Hera e fundit që një anëtar i familjes së presidentit, apo kandidatit për president, pati një pozicion të tillë me pushtet, ishte në vitet 1980 kur Maureen Reagan, vajza e presidentit Ronald Reagan, ishte bashkëkryetare e Komitetit Kombëtar Republikan./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA