Një konflikt i disa ditëve më parë dyshohet se u bë shkak i plagosjes me armë të 54-vjeçarit Agron Puka mëngjesin e djeshëm në fshatin Rrilë të Lezhës.
Paraprakisht dyshohet se tre ditë më parë, Agron Puka ka dhunuar Vincens Tukun i cili nuk ka bërë kallzim në polici.
Ditën e djeshme, Vincensi dhe dy miqtë e tij, kanë pritur Pukën që të linte bashkëshorten dhe fëmijët në shkollë, dhe të pajisur me shkopinj bejsbolli (njëri prej tyre dhe me një kallashnikov), kanë dashur ta dhunojnë atë. Puka, duke ditur konfliktin që kishte, ka tentuar të largohet me automjet.
Gjatë largimit, ai ka qëlluar me pistoletë, nga automjeti, në drejtimin të tre shtetasve. Më pas dhe shtetasit kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit që drejtonte Agron Puka dhe si pasojë, ai ka mbetur i plagosur.
Tre autorët Vincens Tuku, 32 vjeç, banues në fshatin Tale, Amarildo Kola, 31 vjeç, banues në fshatin Tale dhe Kevin Ndoka, 18 vjeç banues në Shëngjin janë shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu u vu në pranga dhe Agron Puka 54 vjeç i cili mbeti i plagosur, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Nga hetimet rezultoi se ka qëlluar në drejtim të tre personave, me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje. Ai aktualisht po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës, ku është jashtë rrezikut për jetën.
Top Channel