Çështja Beleri, nga një çështje juridike u kthye shpejt në një çështje diplomatike.

Kjo falë ndërhyrjes flagrante të shtetit grek në këtë çështje e cila ishte në dorë të drejtësisë shqiptare. Një ndërhyrje që nuk ka të ngjashme në marrëdhëniet diplomatike midis dy shteteve. Fredi Belerin e mbrojtën si grek dhe jo si një kandidat politik i opozitës shqiptare. Madje kjo e fundit shpesh herë ka qenë e kompleksuar nga kjo kandidaturë dhe për këtë arsye e ka mbrojtur pak ose aspak.

Mirëpo kësaj here, ndryshe nga herët e tjera në të tilla raste, mbështetja e shtetit grek dhe ndërhyrja e tij në sistemin e drejtësisë shqiptare ishte pika më e dobët e Belerit. Ne jemi mësuar shpesh në këto 34 vite pluralizëm se sa herë që shteti grek bënte një presion diplomatik ndaj shteti shqiptar arrinte çdo gjë për shkak të kompleksit të inferioritetit që kemi pas në raport me fqinjët.

Kësaj herë ishte pikërisht e kundërta. Mbrojtja si grek i prishi shumë punë procesit gjyqësor të Fredi Belerit. Çështja nga shteti fqinj u kthye nga një proces juridik në një çështje diplomatike. Dhe në  një konflikt diplomatik midis dy shteteve edhe drejtësia me ose pa dashje bëhet palë dhe natyrisht që mban anën e shtetit të saj.

Ky ishte gabimi më i madh i strategjisë të mbrojtjes së Belerit nga ata që e mbështesin. Ata thirrën në mbrojtje të kësaj çështje shtetin fqinj grek. Me shpresën se presioni i vendit fqinj ndaj Shqipërisë do të shpëtonte Belerin nga burgu.

Ata që e mbështesin, kanë menduar se duke patur mbështetjen e shtetit grek, do të ishte më e lehtë për të kërkuar të drejtat e tij. Në fakt e kundërta është e vërtetë. Duke u mbrojtur si grek, Fredi Beleri dobësoi mbrojtjen e tij juridike si një individ dhe kandidat politik.

Pa hyrë në debatin juridik nëse Beleri është fajshëm apo i pafajshëm, sepse kjo është çështje e drejtësisë, mund të thuhet padyshim se nga ana e komunikimi Edi Rama e fitoi këtë betejë përpara se drejtësia të jepte verdiktin e saj. Dhe komunikimi është i rëndësishëm edhe në proceset gjyqësore. Kthimi i kësaj çështjeje juridike në një çështje etnike nuk e ndihmoi aspak Belerin.

Ata që e mbrojtën si grek Belerin, dhe jo si një kandidat politik të opozitës shqiptare, padashur bënë lojën e Edi Ramës duke menduar se kështu do ta kishte më të lehtë për shkak të presionit grek. Në fakt kthimi i kësaj çështjeje nga një çështje e brendshme në një çështje të jashtme dha efekt totalisht të kundërt.

Aq më tepër kur në Shqipëri nuk ekziston një çështje minoritare. Të gjithë e dimë se në Shqipëri nuk ekziston çështja e minoriteteve. Në Shqipëri minoritet kanë të gjitha të drejtat dhe liritë që parashikohen nga ligjet shqiptare dhe konventat ndërkombëtare. Nëse Shqipëria do të kishte problem me të drejtat e minoritetit, do të ishte vetë BE që do të ndalonte avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë. E duke qenë se çështja e minoritet nuk ekziston në Shqipëri, Bashkimi Europian kësaj herë po mban anën e vendit tonë.

Me pak fjalë, mbrojtja si grek Belerit i ka prishur punë, nuk e ka ndihmuar atë të gjejë të drejtën e tij. Nëse në këtë histori ka një çështje, është pikërisht çështja e një pushteti autoritar që për interesa të tij bënë çdo gjë, qoftë edhe duke stisur procese gjyqësore. Ose më saktë, pushteti i kësaj qeverie është në të vërtetë një pushtet i korruptuar dhe që ka kapur pjesë të rëndësishme të sistemit gjyqësor, me përjashtim të SPAK.  Në këtë kuptim autoritarizmi i kësaj qeverie nëse ekziston, ekziston si i tillë dhe nuk ka nuanca racore apo etnike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA